Pakistan, Musharaf lirohet nga akuzat

22/04/2013 00:00

Gjykata Supreme në Islamabad shfuqizoi urdhërin e dhënë nga qeveria vendase për arrestimin dhe hetimin e ish-presidentit Pervez Musharaf për akuzën e “tradhëtisë së lartë”.

Në vendimin e zbardhur nga gjykatësit më të lartë të Pakistanit thuhet se qeveria e përkohëshme vendase nuk ka autoritetin për të dhënë urdhëra të tillë dhe vetë fakti që ajo është e përkohëshme, deri në momentin e mbajtjes së zgjedhjeve, nga të cilat do të dalë qeveria e re, e bën këtë kabinet të pafuqishëm për urdhëra të tillë.

“Qeveria e përkohëshme, ashtu sikundër përcaktohet në kushtetutë, nuk mund të urdhërojë arrestimin dhe hetimin e ish-presidentit Musharaf për shkelje të artikullit të gjashtë të kushtetutës vendase”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

Musharaf u shoqërua në gjykata pak ditë më parë. Televizionet vendase transmetuan pamjet kur qindra forca policore dhe ushtria shoqëronin për në gjykatë ish-presidentin në Islamabad.

Urdhër-arresti për Musharaf u nxorr për akuza që lidheshin me ngjarjet e marsit të vitit 2007, kur ai ishte presidenti i vendit. Në atë kohë, Musharaf u përpoq të linte në arrest shtëpia shumë gjyqtarë duke shpallur gjendjen e emergjencës për të nxjerrë jashtë loje gjykatat.

Ai u rikthye në atdhe pas ekzilit në Londër me shpresën e udhëheqjes së partisë së tij në zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen muajin e ardhshëm.

Por akuzat më të rënda që rëndojnë ndaj tij janë të tjerë, si tradhëtia, ndërsa talebanët në Pakistan janë betuar për ta eliminuar atë.

Ish-presidentit të Pakistanit, Pervez Musharraf, iu ndalua pjesëmarrja në zgjedhjet e përgjithshme të muajit maj pas vendimit të gjykatave, ndërkohë që mbetet e paqartë për momentin nëse vendimi i Gjykatës Supreme për të liruar atë nga të gjitha akuzat, i lejon të kandidojë në zgjedhjet presidenciale.

Top Channel