Plani sekret i Moskës për Kievin/ 70 raketa balistike dhe 720 dronë për të lënë qytetet ukrainase pa ujë, energji dhe ngrohje Mijëra pjesëmarrës mbajtën 30 sekonda heshtje përpara fillimit të Maratonës së Londrës në shenjë solidariteti me personat e prekur nga shpërthimet e Bostonit, por edhe në një gjest të hapur sfide ndaj atyre që përpiqen të thyejnë shpirtin njerëzor.
Mes masash të rrepta sigurie, garues e spektatorë u mblodhën për eventin më të madh të këtij lloji në Botë. Policia e kryeqytetit britanik ka nxjerrë 800 efektivë për forcimin e sigurisë gjatë rrugës së maratonës, duke e çuar në 2.000 numrin total të agjentëve të mobilizuar që do të thotë 40% më shumë se vitin e kaluar.
Përpara 36.000 personave të mbledhur aty, komentatori i eventit, Geoff Wightman, tha se të gjithë po i bashkoheshin këtyre çasteve të heshtjes për të nderuar miqtë e kolegët që panë se si një ditë gëzimi u shndërrua brenda pak minutave në një ditë kaosi e tmerri. “Maratona është sport global”, shtoi ai.
Ky vrapim bashkon garues e mbështetes nga çdo kontinent që kërkon një sfidë të përbashkët dhe frymën e miqësisë e barazisë dhe për Britaninë ishte e rëndësishme të tregonte se mund ta realizonte eventin pavarësisht shpërthimeve në Boston. 24 prej garuesve në karrige me rrota që marrin pjesë në Maratonën e Londrës ishin dhe në atë të Bostonit të hënën.
“Kam kalur nëpër sfida të vështira çdo ditë të jetës sime ndaj e di sesi është”, tha për BBC-në amerikania Tatyana McFadden duke iu referuar të plagosurve të Bostonit që humbën gjymtyrët në sulmet e 6 ditëve më parë.
“Kur të kaloj nëpër rrugët e Londrës do të jem duke garuar edhe për ata”, shtoi Tatiana.
Maratona e Londrës, më e madhja në botë, është mbajtur për herë të parë 29 marsin e vitit 1981 dhe që nga ajo kohë organizohet rregullisht çdo vit në pranverë.
Top Channel