Mes tensionesh dhe përplasjesh të forta, Kuvendi i Kosovës miratoi marrëveshjen 15-pikëshe e cila u arrit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daçiç.

Më të zëshmit kundër marrëveshjes ishin deputetët e lëvizjes Vetëvendosje. Albin Kurti akuzoi kryeministrin Thaçi se me këtë marrëveshje do të krijojë Bosnjen e dytë: “Me këto 15 pika bosnjezohet Kosova duke u shndërruar në shtet jofunksional dhe duke shkuar drejt dështimit të sigurtë. Për hir të pushtetit të tij, Thaçi sakrifikoi shqiptarët në veri të Kosovës dhe ata në Kosovën lindore.”

Pas pesë orë diskutimesh, Vetëvendosja ndërmorri një aksion simbolik në momentin kur kryeministri Thaçi propozoi rezolutën që i kërkon Kuvendit pëlqimin e marrëveshjes.

Në të njëjtën kohë, jashtë Kuvendit u mblodhën qindra aktivistë të Vetëvendosjes që bënë thirrje për mosvotimin e marrëveshjes. Ndërsa aksionet vazhdonin paralelisht me njëra-tjetrën, brenda sallës, me pankarta në duar deputetët e Vetëvendosjes qëndruan në këmbë për më shumë se një orë. Ata i kërkuan kryetarit të Kuvendit që të mos e hedhë për votim rezolutën e propozuar nga kryeministri Thaçi.

Përkundër kërkesës së Vetëvendosjes për ndërprerjen e seancës, kryeministri Hashim Thaçi kërkoi vazhdimin e saj dhe votimin e rezolutës. Pas një pause prej disa minutash, deputetët u kthyen dhe brenda pak sekondash kryen procedurën e votimit.

89 deputetë votuan pro rezolutës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, 5 abstenuan dhe vetëm 1 ishte kundër.

Kryeministri i Kosovës, gjatë seancës, deklaroi se marrëveshja kompleton pakon Ahtisari dhe konsolidon tërësinë territoriale të Kosovës: “Asnjëra palë nuk do të bllokojë progresin e palës tjetër në rrugën drejt Bashkimit Europian. Presim që 5 vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë sa më shpejt.”

Kundër marrëveshjes u deklarua edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Ai e konsideroi autonomi atë që kanë akorduar kryeministri i Kosovës dhe ai i Serbisë: “Fakti që është bërë kompromis do të thotë se është shkuar përtej dokumentit gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, përtej Kushtetutës dhe ligjeve që kemi miratuar. Ajo që mungon këtu është vetëm emri autonomi.”

Përkrahës të marrëveshjes u deklaruan Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe përfaqësuesit e minoriteteve. Nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala, i cili ka qenë koordinator i bisedimeve deklaroi se marrëveshja do të zgjidhë problemin e Veriut.

Thaçi mbledh Qeverine, i nis letër baroneshës Ashton

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar baroneshës Ashton letrën konfirmuese se Kosova miraton nënshkrimin e marrëveshjes së parë të parimeve, e cila rregullon normalizimin e marrëdhënieve mes Repulikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.
 
Përveç mbështetjes nga Kuvendi edhe kabineti qeveritar me unanimitet ka përkrahur këtë marrëveshje gjatë mbledhjes që u mbajt të hënën në mëngjes.
 
Kryeministri Thaçi ka thënë se tashmë mbetet sfidë zbatimi i marrëveshjes, dhe se në ditët e ardhshme do të qartësohen periudhat kohore për zbatimin e saj.
 
“Tani në ditët e ardhshme që të qartësohen edhe periudhat kohore të implementimit dhe aktorët. E aktorët implementues janë institucionet e Kosovës, është EULEX-i, NATO në rolin lehtësues, në bazë të përgjegjësive nga marrëveshja që do ta ketë Serbia për ndalimin e financimit të strukturave atje, në të njëjtën kohë edhe për kryerjen e përgjegjësive që ka në bazë të marrëveshjes, dhe lehtësimin e shpërbërjes së plotë të të gjitha strukturave ilegale të sigurisë”, u shpreh Thaçi.
 
Thaçi ka përsëritur se me këtë marrëveshje nuk do të ketë nevojë të ndryshohet Kushtetuta apo ligjet e Kosovës.
 
“Ajo që dua të them, edhe njëherë, të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritarë, qytetarë të respektuar të Republikës së Kosovës, është se me këtë marrëveshje është respektuar në plotëni Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ligjet e Republikës së Kosovës, dhe nuk do të ndryshohet për asnjë moment, Kushtetuta e Republikës dhe as ligjet”, theksoi Kryeministri.
 
Në fund, kryeministri Thaçi u ka bërë thirrje edhe një herë qytetarëve në veri të Kosovës që të mos i frikësohen kësaj marrëveshjeje, sepse është në interesin e tyre dhe të paqes e stabilitetit.
 

Top Channel