Holandë, nxënësi: Do vras mësuesin dhe shokët

22/04/2013 00:00

Mëngjesin e kësaj të hëne, me urdhër të policisë, të gjitha shkollat e mesme dhe institutet teknike në Leiden të Holandës janë mbyllur.

Arsyeja e këtij vendimi ka qenë kërcënimi që një nxënës, për momentin i paidentifikuar, publikoi të dielën në internet: “Nesër do t’i qëlloj profesorit tim të gjuhës dhe sa më shumë shokëve të klasës që të mundem”.

Agjentët e policisë po mbikëqyrin çdo shkollë në qytet për t’i paraprirë çdo sulmi, pasi kërcënimi konsiderohet si shumë serioz nga autoritetet.

Kryetari i bashkisë së Leidenit, Henri Lenferink njoftoi mbrëmjen e së dielës se: “Duke marrë parasysh seriozitetin e kërcënimit është vendosur të mos rrezikojmë”.

Ndërkohë, policia lokale ka konfirmuar se gjatë paradites së të hënës ka arrestuar një të dyshuar. Bëhet fjalë për një ish-student të Shkollës Britanike në lokalitetin Vorshoten, një qytezë pak kilometra larg Leidenit.

Drejtoria e shkollës ka publikuar një komunikatë ku saktësohet se studenti ndiqte “Senior School”, nga e cila është përjashtuar në tetor të vitit 2011 për sjellje të papërshtatshme.

Top Channel