Reali nuk është favorit për kalimin në finalen e Champions League, vlerësoi një njeri që e njeh mirë Borussian e Dortmundit, Mircea Lucesku.
Në raundin e dytë të këtij edicioni të Champions, Shakhtari që ai drejton u eliminua pikërisht nga gjermanët, pas dy sfidave që impresionuan aq shumë rumunin, sa deklaroi atëherë se Borussia është favorite për titullin, mendim të cilin Lucesku vazhdon ta ndajë edhe sot.
“Reali nuk është favorit për t’u kualifikuar. Borussia i mundi në fazën e grupeve (2-1) dhe për pak edhe në Spanjë (2-2). Këto rezultate tregojnë që ata dinë se si mundet Reali dhe mund të fitojnë sërisht”, tha Lucesku.
“Dortmundi është me të vërtetë një skuadër impresionuese, e re, shumë e mirëorganizuar dhe fizikisht shumë e përgatitur. Ata bëjnë një futboll ofensiv dhe kanë një treshe shumë të rrezikshme tek Gotze, Reus dhe Lewandowski”.
Në çdo rast, edhe nëse ekipi i Mourinhos do të arrijë të kualifikohet, Lucesku parashikon që Reali do të duhet të vuajë shumë më parë. “Borussia ka tifozerinë më të mirë në Europë. Ambienti në fushën e tyre është i pabesueshëm dhe krijon një presion të madh mbi rivalin. Avantazhi i vetëm i Realit janë individualitete si Ronaldo apo Benzema, por kjo do të jetë një gjysmëfinale shumë emocionuese dhe e dyluftuar”, përfundoi ai.
Top Channel