Afganistan, rrëmbehen shtetasit turq e rusë

22/04/2013 16:00

Një grup prej dhjetë shtetasish të huaj u rrëmbye ditën e hënë nga rebelët talebanë në lindje të Afganistanit, konfirmuan burime zyrtare.

Shtatë turq, dy rusë dhe një afgan ndodheshin në një helikopter civil, i cili u shtrëngua të kryente një ulje të detyruar në zonën e Azrës, në krahinën e Logarit.

Logari është një prej krahinave të njohura për ndikimin e madh të talebanëve, që konfirmuan për mediat ndërkombëtare se mbajnë nën kontroll shtetasit e huaj.

Trupat e NATO-s dhe koalicionit të vendeve të tjera me prezencë në Afganistan po shikojnë mundësinë e një ndërhyrje, në një operacion kërkim-shpëtimi.

Një zëdhënës i Kabulit zyrtar tha se qeveria është gjithashtu duke u përpjekur që të ndërmjetësojë lirimin e pengjeve, duke kontaktuar kryepleqtë me ndikim të fiseve të ndryshme të zonës.

Top Channel