Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, është një nga 5 deputetët që i kanë thënë “jo” marrëveshjes së arritur në Bruksel.

Kjo është bërë përmes votimit gjatë orës së parë të ditës së hënë, kur në Kuvend u miratua Rezoluta e propozuar nga qeveria e Kosovës, përmes së cilës Kuvendi me 89 vota për i ka dhënë mbështetje nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel.

Përveç Krasniqit, edhe deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, dy deputetët e Lëvizjes për Bashkim, Agim Kuleta e Aurora Bakalli dhe Emin Gërbeshi, deputet i pavarur, nuk mbështetën Rezolutën, kurse Hydajet Hyseni nga PDK abstenoi.

Pa votuar kanë mbetur deputetët e Vetëvendosjes, që janë deklaruar kundër marrëveshjes, pasi në momentet e votimit ata kërkonin që kjo të mos hidhej në votim nga kryeparlamentari Krasniqi. Por, sido që të jetë, pas shumë tensioneve Rezoluta u votua dhe mori 89 votat e deputetëve në mesin e tyre edhe ato të LDK-së e AAK-së.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të mbajtur të hënën, i pyetur në lidhje me atë që ndodhi në seancë, Krasniqi ka thënë se është munduar t’i kuptojë deputetët me sjelljet e tyre.

“Unë e kam thënë se duhet të jemi tërësisht në shërbim të demokracisë dhe demokracia nganjëherë i tejkalon disa kompetenca. Por, unë deputetët i kam edhe kolegë dhe i kuptoj kërkesat e tyre dhe unë jam aty për të respektuar proçedurat edhe kur nuk jam krejt dakord me to. T’ju them të drejtën, unë nuk e di as çka është presioni se i kam të koordinuara mendimet, fjalët dhe veprimet”, ka deklaruar Krasniqi.

Madje, Krasniqi ka thënë se ka mundur që të largojë deputetët e Vetëvendosjes, të cilët po qëndronin afër tij dhe i kërkonin që të mos hidhte në votim Rezolutën. Por, ai tha se është vepruar më së miri për të ruajtur autoritetin e institucionit që e përfaqësojnë deputetët.

Ndërkaq, kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka thënë se tendenca ka qenë të ndërpritej votimi, por ka falenderuar deputetët që nuk kanë rënë në këtë provokim.

“Tendencat kanë qenë që të provokoheshin situata të pakëndshme. Por, unë i falenderoj të gjithë deputetët, të të gjitha grupeve paralementare, për ndërgjegjen e lartë dhe pjekurinë politike që kanë treguar dhe nuk kanë rënë pre e provokimeve për të përshkallëzuar situatën dhe për të ndërprerë votimin”, ka thënë Grabovci.

Krasniqi dhe Grabovci ishin të vetmit që u deklaruan pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku u caktuan seancat plenare për këtë javë.

Top Channel