Kërcënime me vdekje, porosi publike dhe anonime, por edhe betime se Kosova nuk është humbur.

Kjo atmosferë ka mbizotëruar në Serbi, pas nënshkrimit të marrëveshjes me Kosovën, e cila pritet të ndreqë problemin e veriut.

Qeveria e Serbisë ka theksuar se kryeministrit, Ivica Daçiç, dhe zëvendësit e tij, Aleksandar Vuçiç, i kanë ardhur shumë paralajmërime nga njerëz të ndryshëm.

Kërcënimet nisën pasi Partia Radikale shpërndau listat, me numrat e telefonave të krerëve të shtetit, nëpër qytete të ndryshme, pas disa protestave kundër nënshkrimit të marrëveshjeve.

Partitë serbe do të marrin qëndrim për Kosovën të hënën, kurse kryeministri, Ivica Daçiç, ka theksuar se shefja për Siguri dhe Politikë të Jashtme e BE-së, Catherine Ashton, i ka premtuar datën e fillimit të bisedimeve me Bashkimin Europian për integrim.

Top Channel