Venezuelë, Maduro betohet si president

19/04/2013 21:45

Nicolas Maduro është betuar si president i Venezuelës, duke pasuar kështu Hugo Chavez, që vdiq nga kanceri në mars pas 14 vitesh pushtet.

Mijëra persona të mbledhur në rrugët e kryeqytetit Karakas kanë shprehur mbështetjen për zotin Maduro, si dhe kanë festuar ditën e pavarësisë.

Ceremonia e betimit vjen pas një seri vendimesh të komisionit elektoral për të bërë një kontroll të plotë të të gjitha votave të hedhura në kutitë e zgjedhjeve të së dielës.

Zoti Maduro mundi në këtë garë liderin e opozitës Henrique Capriles me 1.5 për qind më shumë të votave. Zoti Capriles, që pretendon se janë bërë parregullësi, thotë se e pranon auditimin elektoral.

Dhjetëra liderë nga rajoni, përfshirë Brazilin, Kubën dhe Kolumbinë, si dhe nga Irani dhe vende të tjera arabe kanë ndjekur ceremoninë e betimit.

Mbështetësit e opozitës pritej të protestonin kundër betimit të Maduro, duke bërë zhurmë me tenxhere e tiganë, si dhe duke luajtur muzikë salsa.

Por Capriles bëri një apel për protesta paqësore në mënyrë që të shmangej dhuna e mëtejshme pas përplasjeve të së hënës që lanë shtatë persona të vdekur.

Vendimi i Këshillit Kombëtar Elektoral për të kontrolluar të gjitha faturat e votave elektronike shihet si një konçesion madhor që po i bëhet opozitës.

Rezultatet zyrtare të zgjedhjeve nxjerrin zotin Maduro si fitues me 50.8 për qind të votave kundrejt 49 për qind të fituara nga Capriles.

Top Channel