SHBA, 14 viktima nga shpërthimi në Teksas

19/04/2013 21:20

Të paktën 14 trupa të pajetë janë rekuperuar nga rrënojat e impiantit kimik në Teksas të Shteteve të Bashkuara, pas shpërthimit të fuqishëm që u regjistrua atje një ditë më parë.

Lajmin e kanë komunikuar autoritetet lokale. Ndërkohë, rreth 200 persona të tjerë mendohet se kanë mbetur të plagosur nga shpërthimi.

Më herët, kryetari i bashkisë së qytetit deklaroi se besonte se katër zjarrfikës që luftuan kundër zjarrit në fillim ishin mes të vdekurve, por kjo nuk është konfirmuar ende.

Ndërtesa të shumta të kompleksit u shkatërruan nga shpërthimi i ndodhur në qytetin Uest, në afërsi të Uekos.

Jason Reyes, nga Departamenti i Sigurisë Publike, deklaroi për mediat amerikane se operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë. Shpërthimi shkaktoi një lëkundje sizmike, si të ishte një tërmet i lehtë.

Aktualisht dyshohet se shkak i ngjarjes të ketë qenë një incident kimik, pasi nuk ka të dhëna për të çuar në pista të tjera. Megjithatë, autoritetet thanë se kompleksi po trajtohet si një skenë krimi.

Guvernatori i Teksasit, Rick Perry deklaroi më herët se e kishte shpallur vendin e ngjarjes një zonë katastrofe dhe se do të kërkonte shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për ndihmë federale nga presidenti Barack Obama, i cili ka ofruar çdo ndihmë të nevojshme.

Cilësia e ajrit dhe tubacionet e gazit po monitorohen nga specialistët për arsye sigurie dhe furnizimet me gaz janë ndërprerë derisa rreziku të konsiderohet i kaluar.

Top Channel