Irak, shpërthim në kafene, 27 të vdekur

19/04/2013 00:35

Një bombë ka shpërthyer gjatë natës së të enjtes në një dyqan kafeje të populluar në perëndim të Baghdad-it, duke vrarë të paktën 27 persona dhe plagosur 51 të tjerë, kanë njoftuar zyrtarë të policisë.

Bomba ishte fshehur në një cantë plastike dhe më pas ishte futur në dyqanin e kafesë, në al-Amriya, në periferinë e kryeqytetit irakian, ku më pas shpërtheu rreth orës 22:00 me orën lokale, sipas policisë.

Ata përllogaritën se pajisja mbante rreth 2 kg lëndë eksplozive të fuqishme. Shpërthimi përfshiu ndërtesën me 3 kate, ku ndodhej gjithashtu një dyqan akulloreje në katin e parë dhe zyra mjekësore në të dytin. Dyqani i kafesë ndodhej në katin e tretë.

Pjesa më e madhe e të plagosurve ishin të rinj meshkuj, ndërsa 4 fëmijë janë identifikuar mes të vdekurve, sipas policisë.

Periferia në fjalë e Baghdad-it banohet kryesisht nga muslimanë sunitë dhe rrethohet nga mure, me përjashtim të një pike kontrolli ku ndodhen ushtarë irakianë.

Dhuna vijon furinë e sulmeve gjatë periudhës parazgjedhore, teksa zgjedhjet provinciale priten të mbahen të shtunën.

Të mërkurën 3 persona ndërruan jetë dhe 16 të tjerë u plagosën pas 4 shpërthimeve brenda dhe përreth Baghdad-it, sipas policisë.

Në vend mbizotëron shqetësimi për situatën e pasigurt, që mund të ndikojë në votimet e fundjavës, vecanërisht nëse irakianët nuk do të marrin pjesë në to për shkak të frikës se në vendet e votimit mund të ndodhin shpërthime.

Top Channel