FMN, shqetësim për ekonominë britanike

19/04/2013 08:50

Drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, ndihet e shqetësuar mbi gjendjen në të cilën ndodhet ekonomia e Britanisë së Madhe.

Në fjalën e saj, Lagarde theksoi se veçanërisht shqetësuese janë të dhënat “jo mbresëlënëse” të rritjes ekonomike.

Megjithatë, duke folur përpara një takimi të rëndësishëm të krerëve të FMN-së në Uashington, Lagarde refuzoi që të komentonte rreth asaj që duhet të bëjë Londra zyrtare për të ndrequr këtë situatë.

Deklarata e drejtoreshës së përgjithshme të FMN-së përkoi me një deklaratë shqetësuese të Mark Carney, guvernatorit të ardhshëm të Bankës së Anglisë, që pranoi se sfidat me të cilat përballet ekonomia janë të shumta.

Që prej realizimit të shkurtimeve në vitin 2010, ekonomia britanike ka zhgënjyer gjithmonë pritshmëritë, ndërsa borxhi nuk është reduktuar ndjeshëm ashtu siç shpresohej.

Më parë gjatë javës, FMN uli pritshmërinë për rritjen e Britanisë gjatë këtij viti në 0,7%, nga 1% që ishte vlerësuar më parë.

Top Channel