Venezuelë, rinumërimi manual i pamundur

18/04/2013 04:00

“Një rinumërim manual i votave nuk është i mundur në Venezuelë”, kështu është shprehur kryetarja e Gjykatës Supreme të vendit, gjatë ditës së mërkurë.

Më tej, ajo sugjeron se nuk ka baza ligjore për kërkesën e opozitës për rinumërim kuti pas kutie të votave, që do të çonte në verifikimin e rezultatit të ngushtë të zgjedhjeve presidenciale.

Në komentet e saj, në një televizion kombëtar, shefja e Drejtësisë venezueliane, Luisa Estella Morales, tha se Kushtetuta e vitit 1999 në Venezuelë ka eliminuar rinumërimin manual, në favor të “auditimit në sistem”.

“Në Venezuelë, sistemi elektoral është tërësisht i automatizuar. Kështu që, një numërim manual nuk mund të ekzistojë. Kushdo që ka menduar se kjo mund të ndodhë vërtet është mashtruar”, tha ajo.

“Shumica e atyre që kërkojnë një rinumërim manual e dinë mirë këtë gjë dhe janë më se të qartë. Zgjedhjet nuk auditohen kuti pas kutie, por përmes sistemit në tërësi”.

Komentet e saj vijnë një ditë pas kumbimit të zhurmës së kapakëve e tenxhereve si dhe hedhjes së fishekzjarreve në Karakas, teksa tensionet ishin shtuar së tepërmi pas shpalljes së rezultatit të ngushtë të zgjedhjeve në Venezuelë.

Ajo ishte një shenjë e qartë se, edhe pas disa ditësh nga votimi në zgjedhjet presidenciale të së dielës, beteja e ashpër politike nuk do të përfundojë në një vend thellësisht të ndarë.

Top Channel