Edhe bisedimet maratonë të raundit të 9-të të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel u mbyllën pa marrëveshje.

Kryeministri Hashim Thaçi deklaroi se Kosova e pranon pa ndryshime një plan 15 pikësh të propozuar nga Baronesha Ashton, i cili sipas tij do të bëhet publik brenda disa ditësh, ndërsa fajësoi palën serbe për rrefuzimin e marrëveshjes.

“Propozimi i Baroneshës Ashton ka qenë i qartë, preçiz, dhe ne e kemi pranuar në tërësi pa ndryshime. Sikurse ka ndodhur në tre herët e kaluara edhe sot Serbia ka rrefuzuar. Unë nesër në emër të qeverisë dhe institucioneve të Kosovës do t’i drejtohem me një letër pranuese zyrtare, për marrëveshje, edhe Baroneshës Ashton, 27 vendeve të BE-së dhe SHBA-ve. Të gjitha këto takime kanë qenë jo të lehta, kanë qenë të rënda me ballafaqime dhe vështirësi, por me vullnet të mirë për marrëveshje. Theksoj se jemi në vitin 2013 dhe marrëveshjet në Bruksel nuk mund të arrihen me llogjikën dhe kokën e Vojisllav Sheshelit”, u shpreh Thaci.

Nga ana tjetër kryeministri serb Ivica Daçiç deklaroi se plani 15 pikësh i Ashton është më pozitiv në lidhje me gjykatat dhe policinë në veri të Kosovës, por se Serbia ka refuzuar vetëm pikën 14, ku kërkohet që dy vendet të mos e pengojnë njëri tjetrin për anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare.

“Kosova nuk mund ta pengojë askund Serbinë. Prandaj kjo kërkesë është njësoj si të kërkosh nga ne të njohim pavarësinë e Kosovës, gjë që nuk do ta bëjmë kurrë”, tha Daçiç.

Vetë ndërmjetësuesja Catherine Ashton duket se nuk ka hequr ende dorë, kësaj here duke iu drejtuar me një mesazh të dyja palëve, e jo vetëm Serbisë.

“Herën e fundit thashë se ishim afër marrëveshjes dhe se dallimet ishin të ngushta, por të thella. Unë mund të them me besim të patundur se dallimet sot janë të ngushta dhe shumë të cekëta. Ndërsa përgatitemi për Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme të hënën, ku unë do të bëj raportin tim, na kanë mbetur edhe disa orë. Unë shpresoj se deri atëherë, të dyja delegacionet do të reflektojnë nëse ata mund të ndërmarrin hapat e fundit për të përfunduar këtë marrëveshje, dhe për të çuar njerëzit e tyre përpara drejt së ardhmes”, deklaroi Ashton.

Beogradi dhe Prishtina kanë katër ditë kohë deri të hënën, më 22 prill, kur vendet anëtare të BE-së do të shqyrtojnë rezultatet e dialogut për të vendosur mbi ecurinë e Kosovës dhe të Serbisë në rrugën e integrimeve evropiane.

Përgatiti: Ernest BUNGURI

Çitaku: Bisedimet vazhdojnë të premten

Ministrja për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku ka njoftuar se dialogu mes kryeministrave Thaçi-Daçiç do të vijojë ditën e premte, si zakonisht me ndërmjetësimin e Brukselit.

“Delegacionet kthehen në Bruksel! Dialogu do të vazhdojë nesër! Ne kemi nevojë për një marrëveshje, jo vetëm për normalizim, por edhe të fokusohemi në reforma”, ka thënë Çitaku përmes rrjetit social “Twitter”.

Ndërkohë, në një komunikim të mëhershëm me mediat, ministrja e Integrimeve ka thënë se Komisioni Evropian duhet ta ketë të qartë se një shtet nuk mund të mbajë peng pafundësisht një shtet tjetër për të hyrë në BE.

“Kosova nuk duhet të mbetet vrimë e zezë për shkak të kokëfortësisë së Beogradit”, ka thënë Çitaku, e cila ka bërë me dije se ka kërkuar një plan B dhe se do të udhëtojë në Bruksel ku do të ketë takime me zyrtarë të lartë të BE-së.

Top Channel