
Të dhënat në Kosovë tregojnë për një defiçit tregtar për muajin shkurt prej 133,6 milionë euro krahasuar me defiçitin prej 109,9 milionë euro me periudhën e njëjtë të vitit 2012. Eksporti mbulon importin vetëm 14.5%. Këto janë shifrat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Ajo që bie në sy në komunikatën për shtyp të Agjencisë së Statistikave të Kosovës është fakti se eksporti i Kosovës me Shqipërinë ka qenë 11.4%, ndërkohë që importi nga Shqipëria nuk renditet në këtë rang.
Në Komunikatë thuhet se vendet e BE-së janë partnerët kryesorë tregtarë. Përqindja më e madhe e eksportit ishte në: Itali (27.3%), Shqipëri (11.4%), Mal të Zi (11.0%), Maqedoni (6.6%), Gjermani (5.1%) etj.
Ndërsa po sipas të dhënave të njëjta, përqindja më e madhe e importit është nga: Serbia (11.0%), Gjermania (10.7%), Italia (8.8%), Greqia (8.4%), Turqia (7.6), Kina (6.8%) etj.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 50.1% të eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.8% produktet minerale; 8.4% lëkurë dhe artikuj prej tyre; 6.3% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani etj.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 19.3% të importit e përbëjnë produktet minerale; 11.9% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.0% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 9.9% metalet bazë dhe artikujt prej tyre.
Eksporti në muajin shkurt 2013 kishte vlerën 22,6 milionë Euro, ndërsa importi 156,3 milionë euro. Kjo tregon për një rritje prej 48.0% të eksportit, si dhe një rritje prej 24.8% të importit duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2012.
Top Channel