Korea e Veriut, kushte për negociata

18/04/2013 00:00

Korea e Veriut ka deklaruar se është gati për bisedime nëse sanksionet e
vendosura ndaj saj nga OKB do të tërhiqen dhe nëse Shtetet e Bashkuara
dhe Korea e Jugut i japin fund stërvitjeve të përbashkëta ushtarake.

Kushtet për dialog janë parashtruar në një deklaratë të Komisionit Kombëtar të Mbrojtjes, që është cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve “KCNA”.

OKB vendosi sanksione ndaj Koresë së Veriut pasi vendi komunist realizoi testin e tretë bërthamor më 12 shkurt. Ndërkohë, stërvitja e përvitshme ushtarake SHBA-Kore e Jugut nisi në muajin mars.

“Nëse Shtetet e Bashkuara dhe armiqtë e Jugut duan dialog dhe negociata, atëherë ata duhet të ndërmarrin këto hapa”, ka deklaruar Komisioni Kombëtar i Mbrojtjes.

“Hapi i parë duhet të jetë tërheqja e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të hartuara mbi baza qesharake”, thotë deklarata zyrtare.

“Së dyti, duhet t’i thoni të gjithë botës se nuk do të përfshiheni në asnjë provë për luftë bërthamore që kërcënon kombin tonë. Dialogjet dhe lojrat e luftës nuk mund të bëhen së bashku”, vijon dokumenti.

Tensionet në Gadishullin Korean mbeten të larta që kur Korea e Veriut kreu testin e tretë bërthamor nën tokë, që pasoi me vendosjen e sanksioneve të OKB-ja.

Në javët e fundit, Verio ka kërcënuar se do të sulmojë me raketa Korenë e Jugut, Japoninë dhe bazat ushtarake amerikane në rajonin e Azisë së Paqësorit.

Presidentja koreano-jugore, Park Gyeun hye ka bërë një ofertë për bisedime me Veriun, por ky i fundit ka deklaruar se bëhej fjalë për një “truk tinëzar”.

Top Channel