Dennis Rodman, agjent i FBI-së në Kore?

18/04/2013 00:00

Është e vërtetë! Ish-basketbollisti i Chicago Bulls, Dennis Rodman, i
cili së fundmi vizitoi Korenë e Veriut dhe u takua me liderin Kim Jong
Un, pohon se është kontaktuar nga FBI-ja për ndonjë informacion që mund
të ketë marrë vesh gjatë udhëtimit.

“Jam kontaktuar nga FBI-ja dhe jam takuar me ta. Ata donin të dinin se çfarë ndodhi dhe se kush është në të vërtetë në krye të Koresë së Veriut. Mua më kanë ftuar sërish atje në gusht dhe kam qejf të shkoj”, ka thënë Rodman.

Në muajin shkurt, Rodman vizitoi Korenë e Veriut në kuadër të një turi të pagëzuar me emrin “diplomacia e basketbollit”, vizitë kjo që tërhoqi vëmendjen e shtypit.

Shtëpia e Bardhë e dënoi udhëtimi dhe vetë Rodman, duke deklaruar se Korea e Veriut duhet të shqetësohet më shumë për qytetarët e saj sesa të mbajë ceremoni për yjet e sportit. Por vetë Rodman, në një intervistë, ka insistuar se nuk është treguar naiv.

“Nuk jam një idiot. Unë i di kërcënimet që po bën Kim Jong Un për të treguar muskujt e tij ushtarakë. Por unë shpresoj të mos ndodhë gjë, pasi Amerika do të ndërmarrë çdo veprim për të shpëtuar vendin dhe aleatët”, ka thënë ish-basketbollisti.

Ndërkohë, askush nga FBI-ja dhe nga institucionet e Uashingtonit nuk ka konfirmuar intervistën e yllit të sportit për Byronë, gjë që sugjeron se mund të ketë qenë një takim rutinë.

Top Channel