Arrestohet dërguesi i letrës së Obama-s

18/04/2013 03:20

Arrestohet një person në lidhje me letrat e helmuara të dërguara drejt presidentit Obama dhe senatorit Roger Wicker, ka bërë të ditur Departamenti i Drejtësisë gjatë së mërkurës.

Paul Kevin Curtis është arrestuar nga FBI në shtëpinë e tij në Corinth të Mississippi-t, njofton departamenti në një deklaratë.

Letrat e dërguara për senatorin Wicker, një republikan i Mississippi-t, dhe për Obama-n u zbuluan gjatë së martës. Njoftimi i departamentit bën të ditur se një letër e tretë i është dërguar një zyrtari të drejtësisë në Mississippi.

Letrat ndaj Wicker-it dhe Obama-s u kapën në pajisjen e postës qeveritare dhe pas testimeve paraprake rezultuan me prezencë ricine, një përbërje vdekjeprurëse.

Për shkak se testimet fillestare mund të jenë “kontradiktore”, zarfat u dërguan për testime të mëtejshme në laboratore të specializuara, njoftoi FBI-ja, që nuk pret të marrë rezultate zyrtare deri ditën e enjte, thonë burime të zbatimit të ligjit për CNN.

Në letra shkruhej: “Të shohësh një gabim dhe të mos e shfaqësh atë, është si të bëhesh një partner i heshtur në vazhdimësi i gabimit”. Ato mbanin një nënshkrim “Jam KC dhe aprovoj këtë mesazh”, bëri të ditur një burim.

Raportime për pako të dyshimta dhe zarfe pati edhe nga dy ndërtesa, ku ndodheshin zyrat e Senatit, gjatë mesditës së të mërkurës. Policia evakuoi katin e parë të Hart Senate Office Building për më shumë se 1 orë dhe mori në pyetje një person në zonë, i cili kishte një cantë shpine me zarfe të mbyllura në të, por ai nuk u mor në paraburgim.

“Ky është thjesht një paralajmërim se me shërbimin publik vjen edhe mundësia reale për të qenë objektiv i këtyre sulmeve”, tha senatori Pat Roberts i Kansasit. “Por, në anën tjetër, ne kemi një forcë të shkëlqyer policore dhe besoj se ata do t’ia dalin deri në fund me këtë situatë”.

Top Channel