Komisioni Europian shtyu me disa ditë miratimin e raporteve të pranverës, për ecurinë e Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së, në pritje të rezultateve nga dialogu i 17 prillit.

“E shoh si një sinjal të mirë, pozitiv, për angazhimin e marrë nga dy kryeministrat, që të përdorin këtë mundësi historike, për të ecur në përgjithësi me normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, e, në të njëjtën kohë, duke përdorur më së miri ofertën e bërë nga Bashkimi Europian, pra pritshmëritë janë të larta”, u shpreh Stefan Fule, komisioner i BE-së për Zgjerim e Fqinjësi.

Nëse arrihet marrveshje, atëherë brenda javës, sipas Fule-s, Kolegji i Komisionerëve finalizon raportet për vendet respektive dhe diskutimet vijojnë të hënën në Këshillin e Ministrave të BE-së, e më pas në parlamentet nacionale, përpara se të vendosin krerët e shteteve në samitin europian të qershorit.

Nga Strasburgu, Komisioneri për zgjerim njoftoi vetëm miratimin e raportit të ndërmjetëm për Maqedoninë, i cili, njësoj si katër raportet e fundit të progresit, që prej vitit 2009, i rekomandon vendeve anëtare çeljen e negociatave për anëtarësim.

“Por, njëkohësisht, unë shpreha shqetësim, që marrëveshja e 1 marsit, e gjetur si rrugëdalje për krizën politike, është larg të qenit e zbatuar dhe i bëra thirrje politikanëve në Shkup, gjatë vizitës së fundit, që të bëjnë më tepër përpjekje për të paraqitur arritje, sipas angazhimeve të marra prej tyre, sidomos për komisionin hetimor, së dyti arritjen e një memorandumi mirëkuptimi mbi integrimin europian, dhe së treti arritjet për gazetarinë, sepse fatkeqësisht edhe ata janë bërë pjesë e kësaj çështjeje e jo për faj të tyre”, shtoi Fule.

Pavarësisht raporteve të komisionit, Stefan Fule pranoi se gjithçka varet nga vendet anëtare.

“Zgjerimi është proçesi, i cili fuqimisht është në duart e vendeve anëtare. Nuk drejtohet nga Brukseli, por nga vendet anëtare”, theksoi Fule.

Pas Strasburgut, të enjten Komisioneri shkon në Berlin, për t’u takuar me përfaqësues të qeverisë dhe të komisionit të jashtëm të Bundestag-ut.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel