Në Bruksel po vijon raundi i 9-të i dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e mardhënieve mes dy vendeve. Prej orës 10:30 të paradites Catherine Ashton ka ndërthurur disa takime dypalëshe dhe trepalëshe, në përpjekje për të afruar qëndrimet mes ekipeve të drejtuara nga Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, mbi kompetencat e bashkësisë së komunave serbe në Kosovë.

“Përfaqësuesja e Lartë është shumë e angazhuar në dialog dhe të gjitha përpjekjet e saj shkojnë në drejtimin se do të ketë një marrëveshje. Ne besojmë se kjo marrëveshje është në interesin e të dyja palëve, Serbisë dhe Kosovës, por në veçanti për popullatën lokale. Dhe çfarë është e rëndësishme të kuptohet është se kjo do të jetë një marrëveshje mes dy palëve në fund të ditës. Ne po ndërmjetësojmë, por janë ata që duhet të bien dakort. Pra Beogradi dhe Prishtina duhet ta gjejnë zgjidhjen”, tha para takimit Maja Kocijancic, zëdhënëse e Ashton.

Kryeministrat Thaçi dhe Daçiç kanë një ditë kohë për të gjetur një marrëveshje për kompetencat e bashkësisë së komunave serbe në Kosovë. Catherine Ashton duhet të jetë në Bosnje të enjten, ndërsa të hënën e ardhshme duhet të raportojë para ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së për rezultatet e këtij dialogu.

Pergatiti ERNEST BUNGURI

Top Channel