Radikalët në Siri, al-Assad apel OKB-së

17/04/2013 09:15

Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, iu drejtua zyrtarisht Këshillit të Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, me një kërkesë për të klasifikuar lëvizjen kryengritëse të “al-Nusrës” si një organizatë terroriste.

Adresimi ironik i al-Assad ndaj OKB-së përkon me rritjen e shqetësimit për mundësinë e radikalizimit të luftës civile, që në dy vitet e fundit zhvillohet në vendin e Lindjes së Mesme, me qëllim rrëzimin e al-Assad nga pushteti.

Lajmi për këtë reagim të Damaskut zyrtar u publikua në Televizionin Shtetëror Sirian. Në dokument, Siria i kërkonte Këshillit të Sigurimit që të “përmbushë rolin e tij si ruajtës i paqes dhe sigurisë në botë”.

Ditën e mërkurë, “Fronti i Al-Nusrës”, një prej grupimeve të kryengritjes, shpalli aleancën e tij me liderin e Al-Kaedës, Ayman al-Zawahiri.

Përfshirja e islamistëve në luftën civile është përdorur gjerësisht nga presidenti al-Assad për arsye propaganduese.

Në disa shfaqje publike, Presidenti i Sirisë ka spekuluar se nëse regjimi i tij do të rrëzohet, radikalët do të marrin pushtetin në të gjithë vendet e Lindjes së Mesme, diçka që do të ketë rrjedhoja fatkeqe për të gjithë globin.

E nisur në mars 2011, lufta civile i ka kushtuar jetën mbi 70 mijë sirianëve deri tani, ndërsa numri i të zhvendosur nga banesat e tyre për shkak të luftimeve llogaritet me miliona.

Top Channel