Dhuna ndaj kameramanit të TCH

17/04/2013 19:50

Organizata për Median në Europën Jug-Lindore, SEEMO, shprehu shqetësimin për shkeljet e rënda të lirisë së shtypit dhe presionit ndaj medias edhe në Shqipëri.

Përmes një deklarate, SEEMO i referohet rrahjes nga policia të kameramanit të Top Channel.

“Në Shqipëri më 7 prill, kameramani i një prej telelvizioneve kryesues në vend, i cili po ndiqte ndeshjen e futbollit mes Tiranës dhe Skëndërbeut, u rrah nga policia, iu ndalua të filmonte dhe u dërgua në komisariatin e policisë ku u rrah nga oficerë të lartë të policisë. Kjo ndodhi pas një incidenti mes fansave dhe policisë, ndërsa kameramani i Top Channel po priste daljen e fansave të ndaluar. Sipas policisë, kameramani u mor dhe u çua në zyrë sepse ai nuk pranoi të identifikohej, nuk u përdor dhunë dhe pas identifikimit ai u la menjëherë i lirë. Top Channel hedh poshtë këto deklarata si të pavërteta”, thotë deklarata.

Organizata për Median në Europën Jug-Lindore nënvizon se ky nuk është sulmi i parë ndaj Top Channel. Në mars të këtij viti studiot e këtij televizioni u rrethuan nga policia si rezultat i një vendimi të shtetit, pa asnjë paralajmërim të mëparshëm, për të përfunduar kontratën me qera me Top Channel.

Ky televizion, siç shkruhet në deklaratën e SEEMO-s, mori letër nga një ministër me përfundimin e njëanshem të kontratës, e cila teorikisht ishte e vlefshme deri në 2025-ën.

SEEMO, degë e Institutit Ndërkombëtar të Shtypit, i referohet edhe zhvillimeve në vendet e tjera në Europën jug-lindore, ku janë shënuar episode të ngjashme të dhunimit të fjalës së lirë dhe gazetarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA