Venezuelë, Maduro zyrtarizohet, protesta

16/04/2013 04:45

Autoriteti i Zgjedhjeve në Venezuelë ka njohur formalisht Nicolas Maduro, si fitues të zgjedhjeve presidenciale të së dielës, që u karakterizuan nga një diferencë shumë e vogël votash.

Këshilli Kombëtar Zgjedhor mbështeti fitoren e ngushtë të Maduro-s, president në fuqi që pas vdekjes së Hugo Chavez, pavarësisht protestave nga kandidati opozitar, Henrique Capriles.

Pas numërimit zyrtar, rezulton që Maduro të ketë marrë 50.7% të votave kundrejt 49.1% të Capriles-it.

Menjëherë pas shpalljes së lajmit zyrtar, kanë nisur përplasjet në rrugë, mes protestuesve dhe policisë, më të theksuara në kryeqytetin e Karakasit.

Policia përdori gaz lotsjellës kundër qindra studentëve, që kishin dalë në demonstratë në një pjesë të qytetit, ndërsa në krahun tjetër mbështetës të opozitës dolën nëpër ballkone në shenjë proteste, duke krijuar zhurmë me tenxhere e kapakët e tyre.

Capriles kishte bërë thirrje më herët për protesta kombëtare dhe një marshim drejt zyrave elektorale në kryeqytet, në rast se Maduro do të shpallej zyrtarisht fitues.

Ai i kishte kërkuar Këshillit Kombëtar Zgjedhor të mos konfirmonte rezultatin e zgjedhjeve, duke theksuar parregullsi të mëdha, e duke kërkuar rinumërimin. Ai e ka konsideruar zgjedhjen e Maduro-s si “të jashtëligjshme”.

Votimet u mbajtën pas vdekjes së Hugo Chavez-it më 5 mars, prej kancerit. Maduro është një ish-shofer autobusi, i cili u rrit në detyrë duke u bërë zëvendëspresident dhe krahu i djathtë i Chavez-it.

Ndërsa Capriles deklaroi se kishte patur më shumë se 3200 incidente në zgjedhjet e së dielës, të cilat kërkojnë hetime.

Top Channel