SHBA-Seul, bisedime për sigurinë

16/04/2013 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama do të takohet me presidenten e Koresë së Jugut, Park Geun hye, më 7 maj në Uashington, në një kohë kur tensionet me Korenë e Veriut janë më të larta se kurrë.

Takimi do të mbulojë çështje që kanë të bëjnë me ekonominë dhe sigurinë, bëjnë të ditur burime zyrtare.

Në javët e fundit Veriu ka kërcënuar se do të sulmojë Jugun, Japoninë dhe bazat amerikane në rajon. Veriu ka deklaruar se do të reagojë ndaj Jugut pasi një grup protestuesish atje doqën portretet e liderëve të tij.

Tensionet në gadishullin korean janë të larta që kur Korea e Veriut kreu testin e tretë bërthamor më 12 shkurt, që çoi në aplikimin e një seri sanksionesh nga OKB.

“Bisedimet mes zotit Obama dhe zonjës Park do të prekin edhe bashkëpunimin e vazhdueshëm për eleminimin e armëve bërthamore në gadishullin korean dhe masat ndaj kërcënimeve të Veriut”, thuhet në një komunikatë të Shtëpisë së Bardhë.

“Ata do të rishikojnë gjithashtu progresin e bërë në forcimin e lidhjeve ekonomike dhe në modernizimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë”, vijon komunikata.

Takimi i zonjës Park me presidentin Obama vjen pas atij me sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, që ishte në Seul më 12 prill në kuadër të turit të tij në Azi. Ajo u zgjodh në dhjetor dhe mori detyrën më 25 shkurt.

Top Channel