Francë, ministrat detyrohen të deklarojnë pasuritë

16/04/2013 03:30

Ministrat e kabinetit francez kanë zbuluar detaje të pasurisë së tyre individuale, si pjesë e përpjekjeve nga presidenti Francois Hollande, për të rifituar besimin e popullit.

Statistikat u publikuan në një uebsajt të krijuar posaçërisht për këtë arsye të hënën, me urdhër të presidentit Hollande.

Kjo lëvizje vjen pas skandalit që ka rrethuar ish-ministrin e Buxhetit, Jerome Cahuzac, i cili akuzohet për evazion fiskal, për shkak të një llogarie bankare sekrete.

Popullariteti i Hollande ka pësuar rënie të ndjeshme, pas publikimit të skandalit. Secili prej 37 ministrave të Francës është i detyruar të publikojë detaje të financave personale.

Lista e aseteve përfshin detaje mbi llogaritë bankare, policat e sigurisë së jetës, pronat dhe pajisje të tjera të shtrenjta, si makinat, punët e artit dhe gjërat antike.

Jerome Cahuzac shokoi opinionin francez në fillim të muajit, kur pranoi se kishte fshehur rreth 600 mijë euro në një llogari bankare në Zvicër, teksa më parë e kishte mohuar disa herë.

Ai hoqi dorë nga pozicioni i tij në qeveri dhe tashmë është nën hetim për evazion fiskal. Presidenti Hollande është vënë gjithashtu në siklet, nga zbulimi i fundit se ish-lideri i thesarit, një anëtar i Partisë Socialiste, Jean-Jacques Augier, kishte investime personale në dy kompani “offshore”, në Ishujt Cayman.

Skandalet kanë tronditur besueshmërinë ndaj Hollande në sytë e publikut vendas.

Top Channel