FBI, hetim shpërthimeve në Boston

16/04/2013 00:00

Një hetim po zhvillohet pas dy shpërthimeve në maratonën e Bostonit që lanë tre persona të vdekur dhe rreth 140 të plagosur. Byroja Federale e Hetimeve, FBI, ka marrë përsipër koordinimin e asaj që duket një “pistë tërësisht terroriste”.

Ndërsa policia e Bostonit deklaron se oficerët po punojnë gjithashtu mbi ngjarjen dhe çdo pushim i parashikuar është anuluar.

Të paktën 17 persona janë plagosur rëndë, thonë autoritetet, disa prej të cilëve kanë humbur gjymtyrët, ndërsa mes viktimave ishte edhe një djalë 8-vjeçar.

Ndërkohë, në një fjalim televiziv, presidenti Barack Obama bëri thirrje për nxjerrjen e përgjegjësve të këtyre sulmeve para drejtësisë. “Ne do t’i gjejmë ata që e bënë këtë. Ne do ta zbulojmë përse ata e bënë këtë. Çdo individ apo grup përgjegjës do të ndjejë peshën e rëndë të drejtësisë amerikane”, deklaroi Obama.

Edhe pse ai nuk e përdori fjalën “terrorizëm”, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha më vonë se: “çdo ngjarje me seri shpërthimesh, si kjo që ndodhi, duket si një akt i pastër terrorizmi dhe do të trajtohet si e tillë”.

Shtohen masat policore

Forca policore shtesë janë vendosur në pikat e tranzitit dhe në vende të tjera publike në Los Angeles.

Policitë në New York, Washington, Las Vegas, Detroit dhe Atlanta janë duke vëzhguar ngjarjet nga afër, thote ‘Zeri i Amerikes’, ndersa agjensite e zbatimit te ligjit kanë dërguar në Boston personel për të ndihmuar.
Prokurori i qarkut, Daniel Conley pohoi se shume shtete nisen police e personel mjekesor, nje shenje e forte solidariteti ne kete moment krize. Pas episodeve te dhunes ne Boston, masat e sigurise jane shtuar ndjeshem sidomos ne Los Angeles e New York.

Kreu i policise nju-jorkeze, Raymond Kelly, konfirmoi per  “CBS Evening News” se forcat policore ne qytet jane vene ne gadishmeri te larte.

 “Kemi pasur 16 komplote per sulme ketu qe prej 11 shtatorit. Kemi burime te mjaftueshme dhe te perkushtuara njerezore per mbrojtjen e qytetit nga nje akt terrorist, dhe pikerisht kete bejme; e kemi bere ne te kaluaren, po e bejme edhe sot”, thotë Raymond Kelly.

Tronditet Bostoni dhe mbare SHBA

Shpërthimi i parë ndodhi rreth orës 14:50 me orën lokale, në pjesën veriore të Boylston Street, rreth dy orë pasi fituesit kaluan vijën e finishit.

Fillimisht mes turmës pati konfuzion dhe panik. Disa nga garuesit u
rrëzuan në tokë, ndërsa policia dhe të pranishmit e tjerë vrapuan të
ndihmonin personat e goditur nga shpërthimi.


Pak sekonda më pas, një tjetër shpërthim përfshiu turmën, larg vijës së finishit, rreth 50 ose 100 metra nga vendi i shpërthimit të parë.

Pamjet televizive treguan atletë të plagosur dhe spektatorë që mjekoheshin në vendin e ngjarjes. Anëtarët e skuadrave të shpëtimit kapërcyen gardhet për të ndihmuar të lënduarit.

Në një deklaratë paraprake, komisioneri i Policisë së Bostonit, Edward Davis deklaroi se autoritetet nuk kishin marrë “informacione specifike se diçka e tillë do të ndodhte”. Ai u bëri thirrje banorëve që të qëndrojnë nëpër shtëpi dhe të mos qëndrojnë në grupe.

Top Channel