90 mld $ në vit për mafien aziatike

16/04/2013 15:40

Krimi i organizuar në Azinë Lindore dhe Paqësor përfiton rreth 90 miliardë dollarë në vit, me mallrat e falsifikuara që kontribuojnë për një të tretën e kësaj shume, shkruhej të martën në një raport të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Buxheti i fundit i shtetit shqiptar ishte prej 3,9 miliardë dollarësh, mbi 20 herë më i vogël se përfitimet e mafies në këtë rajon.

Përveç mallrave të falsifikuar, trafikimi i lëndëve narkotike dhe trafiku i qënieve njerëzore janë dy aktivitetet e tjera më fitimprurëse.

Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin, në publikimin e raportit, argumentoi se kjo është hera e parë që bëhet një studim i detajuar për krimin e organizuar, në shkallë ndërkombëtare.

Kina është eksportuesja kryesore e mallrave të falsifikuara, ndërsa Mianmari vendi më i madh prodhues i heroinës në rajon.

Sipas raportit, përfitimet ndahen në 24,4 miliardë dollarë në vit prej mallrave të falsifikuara, 17 miliardë dollarë në vit për prodhimet e paligjshme të drurit, 16,3 miliardë dollarë heroinë, 15 miliardë metamfetamina dhe 5 miliardë dollarë ilaçe të falsifikuara.

Top Channel