Kandidati humbës i zgjedhjeve presidenciale në Venezuelë, Henrique Capriles, kërkoi rinumërimin e votave, duke akuzuar fituesin Maduro për manipulime votash.
Capriles, i cili humbi me një diferencë tejet të ngushtë, deklaroi se opozita e tij ka regjistruar mbi 300 mijë incidente apo raste të “keqnumërimit” të votave, prandaj është e domosdoshme që kutitë të rihapen.
Socialisti Nicolas Maduro, i zgjedhur në ditët e fundit të jetës nga Chavezi si pasardhësi i tij, bëri thirrje që rezultati i zgjedhjeve të respektohet.
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, në shpalljen e rezultatit prej 50,7% të votave në favor të Maduros, përjashtoi mundësinë e rinumërimit.
Chavez mundi Capriles në zgjedhjet e tetorit 2012, të konsideruara si demokratike dhe të ndershme nga komisionerët ndërkombëtarë dhe SHBA, por zgjedhje të parakohshme u bënë të detyrueshme të mbaheshin në prill, për shkak të vdekjes së Chavezit.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe ai i Kubës, Raul Castro, ishin ndër liderat e parë të shteteve që përgëzuan Maduron për fitoren e tij.
Pasi u mësua lajmi i fitores së Maduros, në rrugët e Karakasit festohej. Mijëra përkrahës të tij kërcenin, këndonin, u binin borive të makinave. Duke folur jashtë pallatit presidencial, Maduro e cilësoi rezultatin “të drejtë, të ligjshëm dhe kushtetues”. Ai nënvizoi se “Hugo Chavez vazhdon të jetë i pamposhtur dhe të fitojë beteja”.
Atmosfera në kampin e Kaprilesit ishte e zymtë. “Është qeveria, që është mposhtur – tha ai, ndërsa më pas iu drejtua Maduros, duke i thënë, – Sot humbësi më i madh je ti. Populli nuk të do”.
Sfidat me të cilat do të përballet presidenti i ri janë të shumta. Venezuela ka shifrat më të larta të inflacionit në rajon, ndërsa krimet janë shtuar vitet e fundit, veçanërisht në Karakas. Mungesa e ushqimeve dhe energjisë elektrike janë kthyer në fenomenë të zakonshëm. Por vështirësia më e madhe për Maduron do të jetë të qeverisë një vend thellësisht të ndarë.
Top Channel