“Shqip”: Beteja për KQZ-në

15/04/2013 00:00

Beteja për KQZ-në, maratona në Parlament, situata e pazakontë dhe shumë e rënduar që është krijuar, ky ishte fokusi i emisionit të përjavshëm “Shqip” të Rudina Xhungës, ditën e hënë.

Për të debatuar hap pas hapi për atë që po ndodh dhe nëpërmjet lidhjeve, pak minuta pas përfundimit të vizitës së ambasadorit Arvizu në Kryeministri, në studio ishin të ftuar Spiro Peçi, ekspert ligjor, ish-kryetar i KQZ-së dhe anëtari i Partisë Socialiste, Ilirjan Celibashi, sekretar për Çështjet Zgjedhore i LSI-së, Ylli Manjani dhe politologu, Henri Çili.

Në një lidhje të drejtëpërdrejtë nga Kuvendi, në një lidhje direkte, nënkryetari i FRD-së, Gazmend Oketa, shprehu qëndrimin mospërkrahës të forcës së tij politike ndaj ndryshimit të përbërjes së KQZ-së. “Kërkesa është pabazuar në kushtetutë, është një kërkesë që nuk mund të gjejë mbështetje. Në të shkuarën, edhe pse nuk kemi mbështetur disa pika në funksionimin e KQZ-së, nuk do të thotë që nuk e njohim këtë institucion. Në momentin kur anëtarët bëjnë betimin, ata tashmë janë pjesë e një institucioni të pavarur, ata individë kanë marrë detyrën nga ky Kuvend dhe janë të detyruar ta zbatojnë gjatë mandatit 6-vjeçar”.

Në argumentin e tij, eksperti ligjor, zoti Peçi u shpreh: “Duket sikur kjo është një çështje juridike aq e vështirë sa nuk po e zgjidhin dot, por e vërteta nuk është kështu. Kjo është një perde e hollë, që dallon se brenda saj janë elementë të politikës, interesa të politikës në këtë moment të caktuar që kanë ndërhyrë. Ligji e ka fare të qartë dhe nuk njeh ekuivok për mënyrën e emërimit, zgjedhjes dhe përfundimit të mandatit. Nëse aprovohet ndryshimi, nuk do të vendosë ligji, por kartoni. Në pamje të parë duket normale, pasi normalisht kartoni vendos, por kjo është një çështje për të cilën nuk ta jep të drejtën ligji farë të votosh. Kjo është një prekje e shtetit të së drejtës”.

Nga ana e tij, sekretari për Çështjet Zgjedhore i LSI-së, Ylli Manjani, denoncoi në “Shqip” atë që ai i e konsideroi si një “sulm të ulët të mazhorancës”, motivuar vetëm nga “logjika e muskujve”. “Kjo logjikë e muskujve përfaqësohet nga zoti Kryeministër, ndërsa në Kuvend ka një edhe një grup tjetër që mendon tek ligji e forca. Kjo që po ndodh në politikë nga e mërkura, kur u mor kjo nisëm politike, ideja e balancës politike u kuptua që ishte pesë me hiç, e aty u nis të rrëmohej me të shkuarë e personit, diçka jo etike, por që fatkeqësisht është pjesë e mënyrës së operimit të Partisë Demokratike”.

“Megjithatë, në lidhje me këtë çështje, më lind detyra e dhënies së një shpjegimi.  Shkaku që parashtrohet sot nëpërmjet deklarimit të zonjës kryetare të Kuvendit nuk kanë qenë i panjohur”, vazhdoi shpjegimin Manjani. “Mjafton të sjellim në vëmendje shtypin e ditës kur ky dekret i vitit 2003, qe ka shkaktuar ish-prokurorin e Fierit, zotin Ilirjan Muho, ka qenë i botuar dhe ka pasur një diskutim të çelur në Komisionin e Ligjit, që shqyrtoi këto pretendime dhe pavarësisht se u panë këto arsye të pretenduara, në ligj sqarohet si më poshtë që kushdo që ka marrë masë disiplinore dhe ka punuar në organe drejtësie duhet të kalojnë 5 vjet dhe më pas është i lirë të punësohet sërisht. Zoti Ristani ka pasur edhe precedent më të keq, ishte dënuar me 4 muaj heqje lirie dhe sot ai është një qyterar i lirë, si çdo qytertar që kryen dënimin dhe e shlyen. Muho ishte prokurori i përgjithshëm, që u ndëshkua për një shkelje të prokurorit, pasi ai nuk ka qenë kurrë prokuror i çështjes. E kështu Muho vendosi të mos apelojë dhe kjo është e gjithë historia. Këta kanë qenë në dijeni të kësaj mase disiplinore që në momentin kur u zgjodh. Ta zëmë se ky ishte një mashtrues e i ka të gjithë të zezat që tha Jozefina, cili është kushti ligjor për shkarkimin? Cila pikë e kodit thotë që Muho duhet shkarkuar sepse është emëruar gabimisht, ku thuhet?”.

Në mendimin e tij të ndryshëm, zoti Çili u kap në  logjikën e barazpeshës politike në KQZ dhe të frymës së ligjit. “Me shumë konsideratë për figurën profesionale të zotit Peci, por me dy bashkëbiseduesit e tjerë duke pasur po aq respekt, i trajtojmë si përfaqësues të partive politike me një interes të përbashkët, nuk dua që në këtë debat të duket se meqë nuk jam jurist, nuk kam të njëjtën të drejtë për të debatuar mbi këtë çështje. Unë dua ta shoh këtë debat me pikëpamje me natyrë politike dhe të interesit publik. Problemi i parë. Biem dakord që është debat politik që merr vendim, sipas një fryme të caktuar dhe nuk është administrata publike që zbaton ligjin në kuptimin implicit të fjalës. E dyta, Parlamenti ka situata politike dinamike për të zgjidhur dhe situata aktuale, pas largimit të LSI-së në koalicionin opozitar ka disa pasoja të caktuara, që qeveria duhet t’i marrë në konsideratë. Elementi i tretë, jo vetëm gërma, por edhe fryma e ligjit. Si dhe precedenti. Kemi 10 vjet në Shqipëri që ndërtojmë administratën zgjedhore, mbi parimin e balancimit politik nga fillimi deri në fund”.

Një anëtar i Partisë Socialiste dhe ish-kryetari i KQZ-së, Celibashi hodhi poshtë konceptimin e vlerësimit të frymës, kur ligji ka një përcaktim të qartë: “Sjell në vëmendje që jemi kaq të ndarë dhe po debatojmë kaq fortë e gjerë për një çështje të procesit zgjedhor që gjen rregullim në një pasqyrim të plotë e të qartë në kodin zgjedhor. Mendoj çdo të ndodhi kur të bisedohet për një cështje që nuk do të jetë kaq e qartë? Mendo se çfarë japim si mesazh tani në lidhje me sigurinë e procesit zgjedhor. Tek fryma e ligjit mund të shkohet në mungesë të rregullimit të posacëm ligjor, ndaj nuk kemi përse t’i referohemi frymës kur gjithçka është kaq e qartë. Më vjen keq për ata që kanë një formim juridik që e kuptojnë qartë këtë gjë kaq qartë, pasi nuk mund t’i referohesh frymës, kur për një cështje të caktuar e ke rregullimin e posaçëm”.

Në lidhje direkt me emisionin Shqip, nga selia e Kuvendit ishte edhe deputeti i PS, Erjon Braçe. Zoti Braçe vuri theksin tek shkelja e procedurave të Kuvendit, që sipas tij kanë rrëzuar atë se përse u thërrit parlamenti nga Komisioni i Ligjit të Jashtëm: “Turpi dhe shkelja e cdo procedure në Kuvend ka arritur kulmin. Kemi hyrë në Kuvend me një propozim për barazpeshimin e institucionit, ndërsa në drekë na ka ardhur ky pretendim ku ka dy arsye, edhe arsyeja emërimi në detyrë në mënyrë të paligjshme. Amendimi i tretë rrëzon relacionin e Komisionit të Ligjeve, rrëzon edhe amendimin e dytë dhe vijmë tek arsyeja që nuk është më balancimi i KQZ, por thjesht dhe vetëm emërim i paligjshëm në detyrë. Pra ajo që na ka sjellë Komisioni i Ligjeve, ka rënë përfundimisht dhe nuk duhet të merret më nga parlamenti. Di t’ju them që maxhoranca po i shkon me kokëfortësi asaj që ka nisur. Berisha po negocion të ardhmen e tij me gjuhën e forcës. Kërkon të cënojë rëndë zgjedhjet në favor të një rezultati që do ta vendosë ai në mënyrë të drejpërdrejtë, pasi i ka vjedhur dhe pasi i ka vrarë Berisha nuk i llogarit fare ata. Është banale të akuzosh një opozitë që do t’i vjedhë zgjedhjet qeverisë”, tha zoti Braçe.

Por deputeti demokrat, Tritan Shehu deklaroi se maxhoranca është në të drejtën e saj parimore, politike dhe juridike për të zëvendësuar anëtarin e KQZ-së. “Mazhoranca ka qenë e qartë gjatë debatit të sotëm, parimor dhe me moral politik dhe juridik sepse realisht ju e dini që Kodi Zgjedhor thotë që raporti në KQZ dhe strukturat e administrimit të zgjedhjeve shkojnë paralel me balancimin politik të vendit. Kemi të bëjmë me një kërkesë legjitime dhe të drejpërdrejtë.

Top Channel