Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili është shfaqur shpesh herë kritik për mënyrën e privatizimit në Kosovë, të hënën ka deklaruar se duhet të rishikohen kontratat dhe ka sqaruar se përse duhet të bëhet kjo.

“Ne kemi kaluar një proçes të privatizimit dhe konsideroj se duhet të rishikohen të gjitha kontratat e privatizimit për të krijuar bindjen se ato kontrata që janë lidhur janë në interes të privatizimit dhe zhvillimit të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Këtë deklaratë kryeparlamentari e bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku u vendos që gjatë kësaj jave të mbahet një debat parlamentar me kërkesë të Lidhjes Demokratike të Kosovës për ndërmarrjen Trepça.

Ndërkohë, përveç Trepçës, në Kosovë objekt diskutimi është bërë edhe privatizimi i PTK-së, që është shoqëruar me polemika të shumta.

Javën e kaluar konsorciumi nga Gjermania “Axos Capital Partners” dhe “Najafi Companies”, me bazë në Amerikë, ofruan çmimin më të lartë për blerjen e 75 përqind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Oferta financiare, e prezantuar të premten, është 277 milionë euro. Gjatë prezantimit të ofertës u deklarua se nga kjo shumë zbriten 35 milionë euro. Zyrtarisht nuk jepen sqarime se ku do të shkojnë 12.6% e shumës së ofruar.

Por, burime konfidenciale sqaruan për Top Channel se, pikërisht 35 milionë euro është shuma që kompania “Axos Capital Partners” i ka vënë kusht PTK-së, që t’i ketë në llogari në momentin e shitjes.

Oferta e dytë financiare, e kompanisë “M1 Internatonal”, pjesë e “M1 grup investitor” me bazë në Liban, ishte vetëm 150 milionë euro, ofertë e cila nuk përfshinte një zbritje si e para.

Vendimin për nënshkrimin e kontratës me konsorciumin, që ofroi çmimin më të lartë, pritet ta marrë kabineti qeveritar në njërën nga mbledhjet e qeverisë, pas rekomandimit të komisionit qeveritar për privatizimin e PTK-së.

Top Channel