Pas disa vitesh recesioni të thellë, Greqia pritet t’i rikthehet rritjes ekonomike në vitin 2014-n, deklaroi të hënën “trojka”, siç njihet grupi i tre kreditorëve kryesorë të shtetit grek, Bankës Qëndrore Europiane, Komisionit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Pritshmëria për ekonominë helene ishte e përfshirë në një raport-progresi, mbi problemet e thella financiare me të cilën përballet Athina zyrtare.

Në raport, vlerësohej gjithashtu se borxhi, ndonëse në nivele tepër të larta, është brenda kufijve të përmbajtshëm.

Megjithatë, në raport shkruhej se qeveria greke duhet të bëjë përpjekje të tjera të mëdha, për të ulur edhe më shumë nivelin e borxhit kombëtar.

Aktualisht, ai është në nivelin e 160% të PBB-së, shumë larg nivelit prej 120%, që më parë është vlerësuar nga FMN për Greqinë si “niveli kritik”.

Gjithashtu, në vlerësimin e trojkës, rekomandohej aprovimi i 8,8 miliardë eurove, të këstit të ardhshëm të huasë për Greqinë.

Që prej vitit 2010, fqinji ynë jugor ka përfituar nga “trojka” 270 miliardë euro, shumë që e ka lejuar të shmangë falimentimin.

Ekonomia greke, mbetet në recesion që prej vitit 2007 dhe në pothuajse 6 vjet, ka humbur 20% të PBB-së, ndërsa papunsia është rritur në nivelet rekord prej 26% të forcë aktive dhe në më shumë se gjysmën e të rinjve 18-25 vjeç.

Top Channel