Në Prishtinë, duke folur si kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, Edi Rama shpalosi strategjinë, që do të ndjekë qeveria socialiste për Kosovën dhe rajonin. Që në fillim, Rama premtoi veprime konkrete, të koordinura mes Tiranës dhe Prishtinës, dhe jo thjesht projekte të shkruara bukur, që mbesin në letër.
“Ne do të përcaktojmë si pjesë të pandashme të vijës së sjelljes sonë politike, nga njëra anë forcimin e profilit të Shqipërisë, si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, dhe nga ana tjetër njehsimin e fjalëve me veprat, kur bëhet fjalë për vlerat dhe parimet, që promovojnë partnerët tanë strategjikë”, tha Rama.
Rama u ndal edhe në përpjekjet, që do të bëjë qeveria socialiste e pas 23 qershorit, për të realizuar njohjen e Kosovës nga ato vende europiane, që se kanë bërë deri më tani.
“Do të angazhohemi me mish e me shpirt, që të ndihmojmë në kapërcimin e problemeve, që pengojnë sot njohjen e Kosovës nga Rumania e Sllovakia, ku në krye të qeverisë janë dy përfaqësues të së majtës europiane, dhe unë kam besim se ne do të bëjmë progres në këtë drejtim. Ashtu sikundër kam besim se, edhe me qeverinë greke do të mund të thellojmë progresin e filluar kohët e fundit, falë dhe besueshmërisë – dhe kjo është e vërteta – që ka krijuar kryeministri Thaci dhe qeveria e tij, si interlokutor shumë serioz”, shtoi Rama.
Pas 23 qershorit, tha Rama, retorikat nacionaliste të kryeministrit Berisha do t’ia lëmë arkivave dhe se Shqipëria do të nënshkruajë një traktat miqësie me Kosovën.
“Ne do të vëmë në jetë, praktikën e organizimit të mbledhjeve të përbashkëta të qeverive, ku do të orientojmë dhe do të mbikqyrim strategjitë e bashkëpunimit, të thelluara në planin politik, ekonomik dhe social. Mbledhja e përbashkët e dy qeverive, si një trupë e vetme, dy herë në vit, do të bëjë që shqiptarët, këtej dhe andej kufirit, të kenë përmes përfaqësuesve të tyre të zgjedhur një trupë, e cila do të mendojë, diskutojë dhe vendosë në rrafshin strategjik”, deklaroi Rama.
Ky vizion i shpalosur, tha Rama, është një vijueshmëri e mbështetjes ndër vite të PS-së ndaj Kosovës, ndryshe nga ajo e PD-së dhe Sali Berishës. Kryesocialisti, nga kryeqyteti Kosovës, kujtoi se ishte Berisha, ai i cili, në kohën kur ishte president, e quante UÇK-në një grup trafikantësh, mbajti gjallë makinerinë luftarake të Milosheviçit, duke i shitur naftë madje, nënvizoi Rama, ishte Berisha, që bënte thirrje për mos firmosjen e marrëveshjes së Rambujesë.
Top Channel