Kriza përfshin edhe Slloveninë

13/04/2013 00:00

Zgjerohet harta e vendeve të Bashkimit Europian që ndodhen në vështirësi financiare. Pas Portugalisë, Spanjës, Irlandës, Greqisë e Qipros, një tjetër vend që pritet të shtrijë dorën për ndihmë drejt Brukselit është Sllovenia.

Alarmi u dha në Lubjanë këtë të premte. Prej muajsh sistemi bankar slloven ndodhet në vështirësi ndërsa shuma që i duhet për të përballuar krizën financiare përllogaritet diku tek 2.6 miliard euro.

Analistët dhe institucionet ndërkombëtare dyshojnë fort se Sllovenia do të mund të sigurojë këtë shumë nga masat shtrënguese si ulja e shpenzimeve publike apo rritja e taksave në disa sektorë, ndaj parashikojnë që vendi t’i drejtohet Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar duke ndjekur, ndoshta të njëjtën rrugë si vendet e përfshira më herët në krizë.

E për të mbështetur këtë, ka zëra që thonë se në Bruksel janë vënë në lëvizje për të diskutuar mbi një paketë shpëtimi edhe për Slloveninë që do të bëhej vendi i gjashtë që merr hua nga kjo skemë.

Top Channel