“Veriu mund të lëshojë edhe armë bërthamore”

12/04/2013 01:00

Një studim i sapokompletuar, nga Agjencia amerikane Informative e Mbrojtjes (DIA), bën të ditur se Korea e Veriut mund të ketë armë bërthamore, të cilat mund të lëshohen së bashku me raketat balistike, ka njoftuar një kongresmen gjatë ditës së enjte.

Zbulimi erdhi nga senatori republikan, Doug Lamborn, i Colorado-s, gjatë një seance dëgjimore të Komitetit të Shërbimit të Armatosur, në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Duke cituar pjesën e paklasifikuar, e cila besohet se nuk është bërë ende e ditur, ata thonë: ‘DIA vlerësim me besim të moderuar se Veriu ka aktualisht armë bërthamore, të gatshme për t’u lëshuar së bashku me raketat balistike. Gjithsesi, besueshmëria do të jetë e ulët”.

Lamborn e tha këtë përpara gjeneral Martin E. Dempsey-t, i cili po dëshmonte në komitet. Ai e pyeti Dempsey-n, nëse binte dakord me vlerësimin dhe ky i fundit u duk sikur u kap në befasi. “Ende nuk e kam parë atë”, u përgjigj Dempsey. “Madje e thatë edhe ju, që nuk është bërë i ditur publikisht, kështu që zgjedh të mos komentoj mbi këtë gjë”.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, tha më pas për CNN se “nuk kemi ndonjë informacion të pavarur për të verifikuar”, duke iu referuar vlerësimit të DIA-s. Por, a është Korea e Veriut seriozisht gati për një veprim ushtarak? Apo thjesht po teston botën?

Një raketë është ngritur tashmë në pozicionin vertikal të lëshimit, duke shtuar shqetësimet se një lëshim i saj është i pashmangshëm, tha një zyrtar amerikan për CNN, të enjten. Më vonë, një tjetër zyrtar tha se raketa ishte rikthyer sërish në pozicion normal, jo atë të lëshimit.

Këto ngjarje vijnë menjëherë pas raundit më të fundit të bisedimeve, tepër të ashpra kundrejt Veriut. Një agjenci qeveritare citohet nga media shtetërore koreano-veriore të ketë thënë se “lufta mund të nisë në çdo moment”.

Pas takimit privat me Ban Ki-moon, në Zyrën Ovale, presidenti Barack Obama i bëri thirrje Koresë së Veriut të zbusë retorikat.

“Ne ramë dakord se ka ardhur moment që Korea e Veriut t’i japë fund sjelljes së ashpër luftarake, të cilën kanë ndërmarrë prej disa javësh, si dhe të përpiqen të ulin temperaturën”, tha Obama pas takimit. “Askush nuk dëshiron të shohë një konflikt në gadishullin korean”.

Ban Ki-moon u bëri thirrje diplomatëve kinezë të “ushtrojnë lidershipin dhe influencën e tyre” me Veriun, me qëllim zbutjen e tensioneve.

Top Channel