SHBA “shpërfill” Rusinë, publikon listën

12/04/2013 00:00

Shtetet e Bashkuara nuk ua kanë vënë vëshin paralajmërimeve të rusëve, duke i bërë tashmë publike 18 emrat e shumëdiskutuar, të cilët nuk lejohen të shkelin në territorin amerikan, prej shkeljes së të drejtave të njeriut.

Lista përfshin zyrtarë të tatimeve dhe oficerë policie, që burgosën Magnitsky-n, pas akuzave të këtij të fundit për korrupsion. Por, zyrtarë të lartë nga rrethi i ngushtë i Vladimir Putin, që priteshin të përfshiheshin janë lënë jashtë, përfshi këtu edhe zyrtarin më të lartë të policisë, Alexander Bastrykin.

Alexei Pushkov, një ligjvënës rus, tha se publikimi i kësaj liste “të cunguar” do të thotë se “administrata e presidentit amerikan ka vendosur të zgjedhë rrugën e mos agravimit të krizës politike me Moskën”, sipas agjencisë së lajmeve Interfax.

Rreth 250 emra ishin vënë nën akuzë nga politikanët amerikanë fillimisht, ndërsa lista përfundimtare përfshin njerëz nga Rusia, Ukraina, Azerbajxhani dhe Uzbekistani, 16 prej të cilëve janë përfshirë me rastin Magnitsky.

Më herët, Moska paralajmëroi Uashingtonin të mos e botojë listën me emrat e zyrtarëve rusë, që përballen me sanksione, nën akuzat për shkelje të të drejtave të njeriut.

Zëdhënësi i presidentit Vladimir Putin e bëri të qartë se, publikimi i listës do t’i acarojë marrëdhëniet mes të dy vendeve.

“Dalja e listës do të ketë pasoja negative në marrëdhëniet dypalëshe ruso-amerikane, që nuk duhen rënduar më tepër me barrën e pakënaqësive”, tha Dmitry Peskov.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u shpreh më herët se po u publikua lista, Rusia do të reagojë dhe Amerika, tha ai, këtë gjë e ka të qartë.

Administrata e Obamës penalizoi mbi 20 zyrtarë rusë për shkelje të të drejtave të njeriut, mbështetur në Aktin Magnitsky.

Ligji i miratuar nga Kongresi amerikan mban emrin e avokatit Sergei Magnitsky, i cili u arrestua në vitin 2008 nga autoritetet ruse, nën akuzën e evazionit fiskal, pasi kishte ekspozuar një skemë korrupsioni të zyrtarëve vendas.

Një vit më vonë, 37-vjeçari vdiq në burg i torturuar e pa ndihmën e nevojshme mjekësore.

Në listën në fjalë nuk figurojnë vetëm zyrtarët, që mendohet se kanë qënë të përfshirë në rastin Magnitski, por edhe ata, që kanë mbështetur Kremlinin në shtypjen e të drejtave politike për rusët.

Top Channel