SHBA, debati për armët në Senat

12/04/2013 10:00

Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës hapi një debat mbi një propozim për të kufizuar të drejtën e armëmbajtjes në vend.

Një prej pikave kryesore të këtij propozimi është heqja e së drejtës për të pasur në zotërim armë e të gjithë personave me precedentë penalë.

Kjo lëvizje përbën tentativën më serioze për të ndryshuar legjislacionin mbi armëmbajtjen në 19 vitet e fundit, por në mënyrë që të hyjë në fuqi, modifikimi i ligjit pritet të përballet me pengesa të shumta.

Kërkesa për nisjen e debatit kaloi me 68 vota pro dhe 31 kundër, pasi disa republikanë bashkuan votat e tyre me demokratët, të cilët kanë shumicën në Senat.

Lobi i fuqishëm i përkrahësve të së drejtës për armëmbajtje pa kufizime pritet të kundërshtojë ashpër këto ndryshime, duke u bazuar në argumentin se ndalohen prej kushtetutës.

Senatorët mund të kenë nevojë për disa javë për të shqyrtuar të gjithë amendamentet dhe sipas “CNN”, në këtë stad të bisedimeve, nuk ka asnjë garanci që do të vendoset realisht një kontroll mbi shitjen e armëve në vend.

Top Channel