Reformë elektorale e parlamentare në Itali?

12/04/2013 00:00

Një grup i posaçëm specialistësh i ngritur nga presidenti italian, Giorgio Napolitano me synimin për të dalë me propozime konkrete për klasën politike italiane në mënyrë që të shmangen krizat politike dhe ekonomike në të ardhmen, që mund të lënë vendin për muaj me radhë pa qeveri, mbërriti në fund të punës së tij duke dalë me propozime konkrete.

Grupi prej 10 anëtarësh nxorri shtatë pika kryesore në propozimin e tij, ky në sy bie ajo për një reformë të gjërë në sistemin elektoral që do të krijonte një shumicë parlamentare të qendrueshme, rrjedhimisht një qeveri të qendrueshme.

Grupi i punës propozon ligj elektoral të përzier, pjesërisht proporcional dhe pjesërisht mazhoritar duke hequr menjanë ligjin e miratuar në vitin 2005 që përcakton një sistem elektoral proporcional të pastër.

Një tjetër propozim interesant i grupit të punës të ngritur me urdhër të presidentit italian, është shkrirja e dy dhomave të parlamentit vendas, Dhomës së Ulët dhe Senatit në një dhomë të vetme.

“Asnjë lloj sistemi elektoral nuk garanton që një forcë apo koalicion të fitojë mazhorancën në të dyja dhomat, por në një dhomë të vetme me fuqi të plotë ligjvënëse, një gjë e tillë bëhet më e thjeshtë”, thuhet në propozim.

Propozime të tjera të grupit të posacëm të punës të ngritur nga Napolitano vijnë për mënyrën e financimit të partive politike, për punësimin dhe reformat që ata mendojnë si të domosdoshme në këtë sektor, ndihmën sociale dhe luftën kundër varfërisë.

Top Channel