Reeker: Serbia të pranojë ofertën

12/04/2013 00:00

Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Philip Reeker, i ka bërë thirrje Beogradit që të pranojë propozimin e Brukselit për normalizimin e marrdhënieve me Prishtinën, në mënyrë që të marrë datën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“I bëjmë thirrje Beogradit që të përfitojë nga kjo mundësi, sepse duam të shohim që Serbia i përmbush kushtet për nisjen e negociatave me BE-në”, ka thënë Reeker gjatë një vizite në Zagreb.

Reeker ka kritikuar po ashtu fjalimin e presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliç në debatin për gjykatën e Hagës, duke thënë se ai ishte “negativ, i çekuilibruar dhe nxitës”.

Ndërkohë, nga faktori ndërkombëtar ka reaguar edhe kryetari i delegacionit për Evropën Juglindore, Eduard Kukan, i cili ka vlerësuar se refuzimi i marrëveshjes nga Beogradi nuk është gjë negative për Serbinë.

Kukan ka thënë se është me rëndësi që dialogu Prishtinë-Beograd të vazhdojë dhe sipas tij, proçesi mund të rifillojë që të hënën ose të martën e ardhshme.

Të martën më 16 prill Komisioni Evropian do të miratojë raportin për Kosovën dhe Serbinë. Ndërsa, më 22 prill, kryediplomatja e BE-së, Catherine Ashton do të raportojë para ministrave të Jashtëm të unionit për dialogun Kosovë-Serbi.

Pas refuzimit që Serbia i bëri ofertës së BE, vetë Ashton i bëri thirrje Beogradit që të bëjë edhe një përpjekje të fundit për të arritur marrëveshjen, në të mirë të qytetarëve. 

Top Channel