Pakistan, vritet politikani liberal

12/04/2013 09:35

Një kandidat në zgjedhjet e përgjithshme të majit në Pakistan u qëllua për vdekje në një atentat të ndodhur në orët e vona të së enjtes në Hiderabad, raportoi “CNN”.

Kandidati Fakhar Ul Islam u qëllua rrugës nga zyra në shtëpi, brenda makinës së tij, nga dy persona të armatosur me motor.

Islam ishte një anëtar i Lëvizjes Muttahida Quami, partia pakistaneze më liberale dhe sekuraliste, e cila kundërshton me vendosmëri lëvizje talebane dhe disa parti ekstremiste islamike.

Lideri i talebanëve pakistanezë, Hakimullah Mehsud, i ka kërkuar më parë pakistanezëve që të qëndrojnë larg votimeve.

“Ne nuk jemi në favor të demokracisë, demokracia është për hebrenjtë dhe të krishterët”, deklaroi ai së fundmi në një video propaganduese.

“Ata po përpiqen të përçajnë muslimanët. Ajo që ne kërkojmë është zbatimi i ligjit fetar (sharias) dhe luftës fetare (xhihadit) nëse është e domosdoshme”, shtoi ai.

Talebanët kanë paralajmëruar më parë partitë dhe politikanët që konkurrojnë në zgjedhje se do të jenë në shënjesterën e tyre.

Top Channel