HRW, Hamas dështoi në hetimin e vrasjeve

12/04/2013 04:25

Human Right Watch ka bërë të ditur se qeveria e Hamasit, në Gaza, ka dështuar në hetimin e vrasjes së 7 palestinezëve, të akuzuar për bashkëpunim me Izraelin.

Palestinezët u vranë publikisht dhe trupi i njërit prej tyre u tërhoq zvarrë nëpër rrugët e Gazas, me anë të motoçikletave.

Incidenti ndodhi në nëntor, gjatë konfliktit 8-ditor mes Hamas-it dhe Izraelit. HRW tha se një hetim i premtuar për vdekjen e tyre duket se ende nuk ka nisur, një deklaratë e mohuar nga Hamas.

Palestinezët ishin shpallur fajtorë nga një gjykatë ushtarake në Gaza, për spiunazh ndaj Izraelit, përpara se persona të armatosur t’i rrëmbenin ata nga paraburgimi. Por, HRW deklaroi se bindjet e tyre mund të jenë bazuar në prova të nxjerra përmes torturave.

“Paaftësia e Hamas-it, apo mosdashja e tyre, për të hetuar vrasjen makabre të 7 personave, bën që të vihen në lojë (tallen) deklaratat e tyre se mbështesin sundimin e ligjit në Gaza”, tha Sarah Whitson, drejtorja e HRW-së, grup me seli në New York, për Lindjen e Mesme.

“Edhe përpara vrasjes së tyre, abuzimet ndaj personave e kthejnë sistemin e drejtësisë penale në një sistem të shpërfytyruar, pavarësisht fajësisë apo pafajësisë të tyre”.

Në atë kohë, zëvendësi i Hamas-it, Moussa abu Marzouk i cilësoi vrasjet si “të paligjshme”, si dhe tha se autorët duheshin ndëshkuar. Të enjten, zëdhënësi i Hamas, Ihab al-Ghusain mohoi akuzat e HRW-së, duke thënë se një hetim i kryesuar nga prokurori i përgjithshëm ka nisur menjëherë pas incidentit, si dhe janë bërë rekomandimet në kabinetin qeverisës.

Raporti i HRW-së erdhi ditën e caktuar nga Hamas, si afati i fundit për të dyshuarit si bashkëpunëtorë të Izraelit që të vetëdorëzoheshin, duke iu premtuar atyre një amnisti. Bashkëpunëtorët janë zbuluar gjerësisht në komunitetin palestinez.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme në Gaza, Islam Shahëan, tha se forcat e sigurisë do të ndërmarrin arrestime në shkallë të gjerë, për bashkëpunëtorët e dyshuar, sapo periudha e amnistisë të përfundojë, pasditen e së enjtes.

Top Channel