Dialogun për përmirësimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi e ka iniciuar Bashkimi Europian dhe është i mbështetur plotësisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndaj dhe, meqë ata janë nismëtarë, duhet të marrin ata vendim se deri kur duhet të vazhdohet ky proces.

Kjo është bërë e ditur nga zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, e cila është pyetur të enjten, nëse duhet të vazhdohet edhe më tutje dialogu, pasi Serbia i është përgjigjur negativisht nënshkrimit të draft-marrëveshjes së ofruar nga Brukseli.

“Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve e ka iniciuar BE dhe është mbështetur plotësisht nga SHBA-të. Ne vlerësojmë se, meqenëse ata janë iniciatorë, ata duhet të jenë edhe vendimmarrësit se deri kur duhet të vazhdohet dhe se sa racionale, madje edhe se kur do të jetë përfundimi i tyre”, tha Edita Tahiri, zëvendëskryeministre e Kosovës.

Ndërkohë, deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka përmendur një periudhë kohore, kur presin që Serbia t’i thotë ‘Po’ dokumentit të Brukselit, për normalizim marrëdhëniesh.

“Është një pavendosmëri e Serbisë në reagimin ndaj marrëveshjes, e cila është negociuar në disa takime në nivele të larta. Kjo pavendosmëri është një sjellje e njohur e Serbisë edhe në procesin e Vjenës dhe Rambujesë. Praktikisht, në dallim nga ata, ne presim që nga 16-22 prill të jetë dita kur, racionalisht, delegacioni i Serbisë do t’i thotë ‘po’ dokumentit, apo procesit, sepse nuk mund të ecet në pafundësi në biseda me kushte të njëanshme”, tha Lutfi Haziri, deputet i LDK-së.

Por, Lëvizja Vetëvendosje, si subjekt që kundërshton dialogun Kosovë-Serbi, i ka kërkuar qeverisë së Kosovës, që të ndërpresë dialogun dhe të gjitha marrëveshjet e arritura më parë të shpallen të pavlefshme.

“Dialogu me Serbinë e pezullon shtetndërtimin e Kosovës, ndaj dhe kurrsesi nuk duhet të vazhdohet. Të gjitha dakordimet e marrëveshjeve të mëparshme, gjatë dialogut teknik e politik me Serbinë, duhet të shpallen të pavlefshme” tha Visar Ymeri, kryetar i Grupit Parlamentar, VV.

E pyetur për këtë kërkesë të Vetëvendosjes, zëvendëskryeministrja Tahiri ka kujtuar se, qeveria e Kosovës ka shkuar në këto bisedime, pasi kështu është vendosur në Kuvend.

Top Channel