Zyra e Chavez do bëhet muze

11/04/2013 00:00

Presidenti në detyrë i Venezuelës, Nicolas Maduro deklaron se do ta
kthejë zyrën ku punonte presidenti i fundit i vendit, Hugo Chavez, në
një muze.

Zoti Maduro deklaroi se dhoma do të mbetet e paprekur dhe po ashtu një krah i pallatit presidencial, i kthyer tashmë në një monument për revolucionin e zotit Chavez.

Chavez vdiq nga kanceri muajin e kaluar. Menjëherë më pas u vendos që zgjedhjet presidenciale në vend të thirren për më 14 prill, duke vënë kështu zotin Maduro kundër kandidatit kryesor të opozitës, Henrique Capriles.

Capriles thotë se pavarësisht përpjekjeve të Maduro për t’u portretizuar si pasardhës i Chavez, ai ka mungesë të theksuar të karizmës së tij.

“Unë do të kujdesem për atë për disa vjet, por ajo do të jetë shtëpia e Chavez”, deklaroi Maduro duke iu referuar Pallatit Miraflores në Karakas, ku presidenti i Venezuelës ka zyrën e tij.

I mbushur me besim në prag të zgjedhjeve të së dielës, Maduro tha se do të zërë një zyrë të vogël në një krah tjetër të pallatit, në mënyrë që populli të shohë dhe të mësojë se si komandanti ka punuar dhe jetuar.

Që nga vdekja e zotit Chavez më 5 mars, Maduro e ka cilësuar veten si pasardhësin e natyrshëm të tij në krye të shtetit. Ai e ka quajtur veten “biri i Chavez” dhe ka thënë se presidenti i ishte shfaqur në formën e një zogu të vogël.

Top Channel