Thatcher, përcaktohen pjesëmarrësit në funeral

11/04/2013 15:30

Zyra e kryeministrit në Britaninë e Madhe publikoi të enjten listën e të ftuarve të funeralit të Baroneshës Thatcher, i cili do të zhvillohet javën e ardhshme.

Sipas vullnetit të vetë Thatcher, asaj do t’i rezervohet një funeral me nderime të plota ushtarake.

Të gjithë presidentët amerikanë dhe kryeministrat britanikë në jetë janë të ftuar, gjithashtu një përfaqësues nga familja e bashkëpunëtorit të saj të ngushtë, ish-presidenti Reagan.

Vejusha Reagan është tepër e dobët shëndetësisht për të udhëtuar.

Ish-lideri i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev, gjithashtu nuk do të jetë i pranishëm, edhe ai për shkak të problemeve shëndetësore.

Lista e pjesëmarrësve në funeral u hartua nga familja e “Zonjës së Hekurt”, nga kabineti qeveritar dhe Partia Konservatore.

Mbi 2 mijë ftesa do të shpërndahen, duke nisur nga dita e premte.

Mbretërsha dhe Princi Philip kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në ceremoninë që do të mbahet në katedralen e Shën Polit, në Londër.

Ky do të jetë funerali i parë i një politikani, në të cilin merr pjesë Mbretëresha, që prej atij të Sër Ëinston Churchill në vitin 1965.

Katedarlja e Shën Polit ka një kapacitet prej 2 300 personash dhe do të jetë e mbushur plotë gjatë ceremonisë përcjellëse.

Midis figurave të tjera të rëndësishme që do të jenë të pranishëm, përfshihet ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, një përfaqësues i Nelson Mandelës dhe lideri i opozitës britanike, Ed Miliband.

Të pranishëm do të jenë edhe lidera nga dhjetëra shtete të botës,l por presidentja e Argjentinës, Cristina Fernandez de Kirchner nuk është ftuar, për shkak të retorikës së saj anti-britanike dhe fushatës diplomatike që ka nisur për zotërimin e ishujve Falkland, të cilat Thatcher i rivendosi nën kontrollin britanik, pas një pushtimi të shkurtër argjentinas në vitin 1982.

Top Channel