Paralajmërimi i FMN-së për ekonominë botërore

11/04/2013 15:20

Ekonomisë botërore i kanosen rreziqe të shumta, nga problemet e monedhës në tregjet në lulëzim dhe nivelt e larta të borxhit në SHBA, Japoni e Europë, paralajmëroi drejtoresha e përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde.

Duke folur një javë përpara takimit të pranverës së FMN-së, javën e ardhshme në Uashington, Lagarde tha se bota është ndarë në tre grupe shtetesh përsa i përket ekonomisë, në ato që po vazhdojnë të rriten, në të tjerë që po luftojnë për të rikthyer rritjen dhe grupi i tretë, i atyre vendeve në vështirësi.

Në fjalimin e saj, Lagarde nënvizoi se ekonomia botërore po hyn në një fazë të re, në të cilën shpejtësia e pabarabartë e rritjes po krijon pabarazi financiare, të cilat mund të ndikojnë në të ardhmen përkeqësimin e mëtejshëm të krizës.

”Nuk presim që rritja botërore të jetë shumë më e lartë se një vit më parë. Ndërsa në disa aspekte gjërat janë përmirësuar, janë shfaqur rreziqe të reja e janë rikthyer kërcënime të vjetra”, paralajmëroi Lagarde.

”Në shumë vende, përmirësimi i tregjeve financiare nuk është përkthyer edhe me një përmirësim real të ekonomisë apo standartit të jetesës, shtoi ajo”.

Ekonomitë e vendeve në zhvillim po rriten me shpejtësi, tha Lagarde, por të përballur me interesat e ulta bankare në ekonomitë e mëdha, po detyrohen të grumbullojnë borxhe dhe monedha të huaja, duke u ekspozuar gjithmonë e më shumë ndaj krizës.

Top Channel