Kuvendi i Kosovës në mungesë të kuorumit nuk ka mundur të votojë rekomandimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës, përmes së cilave i kërkohet qeverisë që të nxjerrë një ligj të veçantë për statusin e punëtorëve të arsimit shqiptar për periudhën 1990-1999.

Gjatë debatit që ka zgjatur disa orë pati polemika ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si nismëtar të këtij debati, kryeministri ka thënë se qysh në vitin 2008 e ka nxjerrë një vendim për njohjen e stazhit të punës për mësimëdhënësit e asaj kohe dhe se procesi është në fazën finale.

Pas kësaj ka reaguar Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri i cili ka thënë se kjo është fushatë e kryeministrit, dhe nëse e ka marrë vendimin përse deri më tani nuk e ka zbatuar.

Polemikat kanë vazhduar edhe më tej, ndërsa në fund të seancës ishin të pranishëm vetëm 52 deputetë, por ky numër është i pamjaftueshëm pasi nuk përbënë as gjysmën që kërkohet.

Sidoqoftë, për gati një dekadë, nga viti 1990 deri më 1999, gjatë masave të dhunës së pushtimit serbi, shumë shtëpi private ishin shndërruar në shkolla. Fillimi i viteve ’90-ta të shekullit XX do të shënonte fillimin e një epoke të re për arsimin shqip në Kosovë, që nijihet si “pavarësimi i shkollës shqipe në Kosovë” nga Serbia.

Top Channel