Hagel: Veriu po prek “linjën e rrezikshme”

11/04/2013 03:25

Korea e Veriut “po rrëshket shumë pranë linjës së rrezikshme”, pas javëve të tëra të retorikave zhurmuese, ka bërë të ditur Sekretari amerikan i Mbrojtes gjatë së mërkurës, teksa gadishulli korean po monitorohet për një test të pritshëm raketor.

“Veprimet dhe fjalët e tyre nuk kanë ndihmuar në qetësimin e një situate të tensionuar”, tha Hagel për reporterët, nga Pentagoni. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre duan të shohin “zbutjen” e retorikës koreano-veriore, por nëse kjo nuk ndodh, “vendi ynë është tërësisht i gatshëm të përballet me cdo emergjencë”.

“Ne kemi të gjitha kapacitetet për t’u përballur me cdo veprim, që do të ndërmarrë Korea e Veriut, në mënyrë që të mbrojmë vendin tonë, interesat tona dhe të aleatëve tanë”, tha Hagel.

Radarët amerikanë dhe satelitët janë fokusuar në bregun lindor të gadishullit korean, ku qeveria komuniste e Kim Jong-un besohet të ketë përgatitur raketat balistike gati për lëshim, në cdo moment, bëjnë të ditur zyrtarë amerikanë dhe koreano-jugorë.

Japonia ka dislokuar sistemet mbrojtëse antiraketore në Tokio, disa grupe turistësh kinezë kanë anuluar vizitat në Korenë e Veriut, ndërsa kryekomandanti amerikan në Paqësor tha të martën se, nuk mund të kujtojë ndonjë periudhë më të tensionuar në rajon, që prej fundit të luftës koreane në vitet ’50.

Korea e Jugut rrit nivelin e alarmit “kërcënim jetik”

Të paktën 1 raketë balistike me një rreze të përafërt me 3000 km apo 2000 milje, është e mbushur me karburant dhe gati për lëshim, njoftojnë burime amerikane e koreano-jugore.

Si masë paraprake, forcat e përbashkëta të Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara kanë rritur nivelin e alarmit në “Watchcon 2”, për të rritur kështu monitorimin mbikqyrës.

Lëshimi i raketës mund të ndodhë “në cdo moment, nga tani”, tha ministri i Jashtëm i Jugut, Yun Byung-se në parlamentin e vendit.

Testimi i raketës do të përbënte një shkelje të rezolutës 1718 të KS në OKB, të miratuar në 2006, që thekson se Veriu “nuk do të mund të mbajë asnjë testim bërthamor apo lëshim të raketave balistike”.

Një datë kyce për lëshimin mund të jetë e hëna, ditëlindja e themeluesit të fundit të shtetit koreano-verior, Kim Il-sung. Edhe Agjencia e Policisë Kombëtare në Jug ka rritur nivelin e alarmit shtetëror nga “vëmendje”, në “kujdes”.

Top Channel