G8, bisedime në Londër për Koretë, Sirinë e Iranin

11/04/2013 04:00

Kriza koreane do të jetë në krye të axhendës, kur ministrat e Jashtëm nga grupi i 8 kombeve më të fuqishme, G8, do të mblidhen për bisedime në Londër, gjatë së enjtes.

Sipas korrespondentëve, Japonia, e pranishme në bisedime, do të kërkojë lëshimin e një deklarate të fortë solidariteti për këtë cështje shqetësuese. Korea e Veriut ka kërcënuar ushtarakisht Korenë e Jugut, Japoninë dhe bazat amerikane në rajon.

Ministrat do të debatojnë gjithashtu edhe për krizën siriane, programin bërthamor të Iranit dhe dhunën seksuale në këto konflikte. Ata kanë rënë dakord se kombinimi i kërcënimeve luftarake nga Peniani me përgatitjet për teste të reja raketore, cojnë në një provokim tepër të rrezikshëm.

“Nuk ka asnjë mosmarrëveshje me Shtetet e Bashkuara në lidhje me Korenë e Veriut”, ka thënë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në takimin me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, në Londër, gjatë së mërkurës.

Ndërkohë, ministrat e G8 janë takuar edhe me personalitete të opozitës siriane të mërkurën, gjatë këtij samiti dy-ditor. Në ndryshim nga Korea e Veriut, Siria besohet se i përcan vendet e G8, pasi asnjë nuk pret që aleati i Sirisë, Rusia, të mbështesë veprimet ndëshkuese ndaj presidentit Bashar al-Assad.

Evidencat e fundit të lidhjeve mes disa luftëtarëve të opozitës me al-Qaeda-n, e bën edhe më të vështirë për qeveritë e G8 të vendosin në lidhje me sanksione të mundshme.

Gjatë një takimi me ministrat, të mërkurën, liderët e Koalicionit Kombëtar Sirian (SNC) në opozitë, raportohet të kenë ushtruar më shumë presion për ndihmë humanitare.

Kerry, gjithsesi, theksoi rëndësinë e organizimit më të mirë të opozitës, ka bërë të ditur një zyrtar i lartë amerikan për reporterët.

Në një deklaratë të lëshuar pas bisedimeve, Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague, tha se Britania është e gatshme dhe do të kontribuojë në gjetjen e zgjidhjeve politike ndaj këtyre problemeve.

“Diskutuam se cfarë ndihme shtesë mund të japë Britania për të shpëtuar jetë në Siri dhe se si mund të punojmë së bashku për të siguruar se kjo mbështetje të jetë sa më efektive”, tha ai.

Bisedimet e Londrës përbëjnë edhe shansin e parë për ministrat e G8, për të diskutuar ballë për ballë dështimin e takimit të javës së kaluar në Almaty, të Kazakistanit, në lidhje me programin bërthamor të Iranit.

Teherani thotë se kërkon të prodhojë vetëm energji, por SHBA-të dhe aleatët e tyre dyshojnë se Irani po përpiqet të zhvillojë armë bërthamore.

Hague ka thënë, ndërkohë, se “prioriteti personal” i tij për takimin e G8 është marrëveshja e re për të ndaluar dhunën seksuale në konflikte. Burma, Somalia dhe siguria kibernetike janë gjithashtu disa tema diskutimi në axhendë.

Grupi i G8 përfshin Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë, Kanadanë dhe Rusinë.

Britania mban aktualisht kryesinë e radhës të G8 dhe bisedimet përbëjnë një prelud të samitit të përvitshëm të G8, më vonë gjatë këtij viti, në Irlandën e Veriut.

Top Channel