Soros: Edhe Gjermania në recesion

10/04/2013 19:45

Ekonomia gjermane po i drejtohet me shpejtësi recesionit, paralajmëroi miliarderi George Soros, në një fjalim të mbajtur gjatë një samiti në Frankfurt.

Miliarderi me origjinë hungareze, i njohur për financimin e disa projekteve të rëndësishme edhe në vendin tonë, beson se ekonomia më e madhe në Europë do të jetë në recesion, kur gjermanët të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme të shtatorit.

Duke iu referuar dorëzanisë për Qipron, Soros tha se me të gjitha gjasat, kriza do të përkeqësohet në muajt në vazhdim.

“Vetë Gjermania mbetet relativisht e paprekur nga depresioni ekonomik në thellim rreth saj. Megjithatë, pres që në momentin kur të mbahen zgjedhjet, edhe ky vend të jetë futur në recesion”, deklaroi të mërkurën Soros.

Prodhimi i Brendshë Bruto i vendeve të Eurozonës së bashku ra me 0,6% gjatë 2012-s, ndërsa pritet që të reduktohet edhe me 0,5% deri në fund të vitit, sipas vlerësimeve të Bankës Qëndrore Europiane.

Gjermania, e cila jep pothuajse 30% të PBB-së Europiane, ka shmangur recesionin që prej krizës financiare të viteve 2008-09.

Megjithatë, treguesit në muajt e fundit kanë ardhur duke u përkeqësuar dhe Berlini zyrtar parashikon një rritje të dobët prej 0,4%, në 2013-n.

Top Channel