Pavarësisht debateve mes anëtarëve të maxhorancës dhe opozitës në komisionin e ligjeve për zëvëndësimin e anëtarit të LSI-së në KQZ, Kodi Zgjedhor parashikon saktësisht kur një anëtar i organit më të lartë zgjedhor zëvendësohet.
Nëse do t’i referohemi Kodit Zgjedhor të miratur me konsensus nga maxhoranca dhe opozita, parimi i balancimit që përmendi mazhoranca si shkak për këtë zëvendësim nuk është një arsye ligjore dhe nuk parashikohet nga ligji si shkak për riformatim të KQZ-së.
Kodi fillimisht përcakton se si zgjidhet anëtari i KQZ dhe formulën politike të zgjedhjes së secilit prej tyre:
1. Kuvendi i Shqipërisë zgjedh anëtarët e KQZ-së sipas kësaj proçedure:
a) Dy anëtarë propozohen nga partia që ka numrin më të madh të vendeve nga partitë e shumicës parlamentare dhe 2 anëtarë nga partia e opozitës parlamentare që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvendin e Shqipërisë;
b) Subjektet propozuese, në fazën e përzgjedhjes, paraqesin jo më pak se dy kandidatura për secilën vakancë. Kryetarët e grupeve parlamentare të subjekteve propozuese përzgjedhin kolegjialisht 4 kandidatura, në përputhje me kriteret e parashikuara në shkronjën “a” të kësaj pike. Subjektet propozuese të shkronjës “a” përzgjedhin një kandidaturë nga secila gjini;
c) Kandidaturat e përzgjedhura sipas shkronjës “b” të kësaj pike i paraqiten Kuvendit për miratim;
ç) Anëtari i pestë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të shumicës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të grupimit të shumicës. Anëtari i gjashtë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të opozitës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të opozitës. Grupimi propozues paraqet një listë me jo më pak se dy kandidatura për vakancën përkatëse.
Ndërsa shkaqet e shkarkimit janë parashikuar në nenin 18 të Kodit, në mënyrë specifike dhe nuk ka parashikim për termin “lirim”. Ja çfarë thotë neni 18 i Kodit Zgjedhor:
1. Mandati i anëtarit dhe Kryetarit të KQZ-së përfundon përpara afatit kur:
a) Kryen veprimtari politike, njëkohësisht me detyrën e anëtarit të KQZ-së;
b) Mbush moshën për pension;
c) Vdes;
ç) Jep dorëheqjen nga detyra;
d) Dënohet me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
dh) Me veprim ose mosveprim cenon rëndë veprimtarinë e KQZ-së për përgatitjen, mbikëqyrjen, drejtimin dhe verifikimin e të gjitha aspekteve që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe referendumet, si dhe me shpalljen e rezultateve të tyre;
e) Mungon, pa shkaqe të arsyeshme, në dy mbledhje radhazi të KQZ-së, ose në periudhë zgjedhore për më shumë se 5 ditë;
2. Shkarkimi i anëtarit të KQZ-së bëhet me vendim të Kuvendit, pas propozimit të KQZ-së për shkaqe të parashikuara në shkronjat “a”, “d”, “dh” dhe “e” të pikës 1 të këtij neni.
Situata e e re që ka hapur polemika të forta mes PD, PS dhe LSI-së, duket se ka krijuar një preçedent që mund të rezultojë i rrezikshëm në të ardhmen.
Sa herë që në Shqipëri do të ndryshohet mazhoranca, Kuvendi mund të ndryshojë përbërjen e KQZ-së dhe mund të ndërpresë mandatet e organeve të pavarura të zgjedhura nga Kuvendi i mëparshëm.
Ky zhvillim politik që lidhet me KQZ-në bie ndesh edhe me thirrjet e kohëve të fundit të ambasadorit amerikan Alexander Arvizu dhe atij të OSBE-së, që partitë politike duhet të qëndrojnë larg KQZ-së.
Top Channel