Vetëm pak ditë pasi Beogradi refuzoi të nënshkruante marrëveshjen me Kosovën në Bruksel, shefi i diplomacisë belge, Didier Reynders, ka shprehur bindjen se ditëve të ardhshme mund të arrihet një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Sipas tij, palët vështirë se do të gjejnë një çast tjetër të duhur.

“Në ditët në vijim mund të arrihet një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës. Është me rëndësi që ta shtyjmë dialogun më tutje dhe ndoshta BE duhet të bëjë disa propozime, sepse jemi në fund të proçesit. Nëse e humbim këtë rast do të jetë shumë vështirë për të gjetur një moment tjetër të volitshëm, jo vetëm për shkak të situatës në Ballkan, Prishtinë e Beograd, por edhe në BE, sepse kemi probleme të shumta edhe në shtetet e tjera”, deklaroi Reynders.

Këtë deklratë Reynders e bëri në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, në Prishtinë. Nga ana e tij Hoxhaj e cilësoi refuzimin e marrëveshjes nga Serbia si një goditje ndaj BE-së.

“Refuzimi i marrëveshjes është edhe një goditje për politikën e jashtme të BE-së, prandaj ne duhet të kemi suksese konkrete gjatë ditëve të ardhshme. Meqë prej 3 sfidave kryesore që ka edhe më tej Ballkani, siç është Bosnja si shtet, relacioni mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe realcioni mes Shkupit dhe Athinës, ne presim që të ketë mbi të gjitha sukes në adresimin e normalzimit të realicioneve mes Kosovës dhe Serbisë gjatë këtij viti”, tha Hoxhaj.

Po ashtu, zëvendëskryeministri dhe njëkohësisht ministri i Jashtëm belg është pritur edhe nga kryeministri Hashim Thaçi, i cili e informoi për dialogun në Bruksel.

Top Channel